Presidenti francez Emmanuel Macron dhe kancelari gjerman Olaf Scholz i dërguan një letër të përbashkët kryeministrit të Kosovës Albin Kurtit dhe presidentit serb Aleksandar Vuçiç lidhur me procesin e dialogut.
Në letër, shefit të qeverisë së Kosovës dhe kreut të shtetit serb i bëhet thirrje të tregojë vendosmërinë dhe gatishmërinë maksimale për të marrë vendime të vështira.
Olaf Scholz dhe Emmanuel Macron thonë se nevojiten hapa konstruktiv në këtë aspekt, sidomos në një kohë kur agresioni rus vijon të mbetet rrezik edhe për stabilitetin në Ballkan.
“Ju drejtohemi juve si lider i vendit tuaj, për t’ju apeluar që të tregoni vendosmëri dhe gatishmëri maksimale për të marrë vendime të vështira, të cilat çojnë në përparim në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, nën drejtimin e BE-së. Tensionet e fundit kanë treguar se hapa konstruktivë përpara nevojiten urgjentisht, si në planin praktik ashtu edhe në atë politik”, thuhen në letër.