Ministria e Brendshme ka reaguar sërish ditën e sotme pas deklaratës së kompanisë “Hysenbelliu Group”.

Ministria ka publikuar dokumentet e lejes së ndërtimit e cila do të jepej vetëm pasi të plotësohej dokumentacioni tekniko-ligjor dhe të paguhen taksat përkatëse nga kompania.

Sipas Ministrisë asnjë nga këto kushtet nuk është plotësuar.

Reagimi i plotë i Ministrisë së Brendshme:

Pretendimi i mediave të zotit Irfan Hysenbelliu se ndërhyrja e sotme e IKMT është e paligjshme pasi resorti paska leje të miratuar është një tjetër manipulim i opinionit publik.

Dokumenti i nxjerrë në mediat në fjalë me firmën e kryeministrit Edi Rama si kryetar i KKT provon të kundërtën e pretendimit.

Leja është një leje me kusht, ku thuhet qartësisht se dokumenti i lejes së ndërtimit do të jepet vetëm pasi të plotësohet dokumentacioni tekniko-ligjor dhe të paguhen taksat përkatëse.

Asnjëri nga kushtet nuk është plotësuar dhe sot zoti Irfan Hysenbelliu i detyrohet shtetit dhe qytetarëve kthimin e sipërfaqeve të zaptuara, si edhe borxhin financiar nga mospagimi i taksave.