Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali u shpreh në studion e Euronews Albania se Partia Socialiste është e hapur për ndryshime ligjore sa i përket dosjeve të ish-sigurimit të shtetit.

Ministrja nënvizoi se ka dyshime serioze që Ilir Meta mund të ketë qenë spiun në kohën e komunizimit.

“Ka dyshime serioze se mund të jetë një ish-president, ish-kryetar parlamenti, ish-kryeministër i këtij vendi, ka lindur nevojën për të parë ligjin për dosjet, i cili në një nen të tij pengon shqyrtimin e dosjeve që janë verifikuar nga komisionet e famshme Mezini-Bezhani. Ai nen ndoshta është vendosur në atë ligj për të penguar transparencën e plotë dhe zbardhjen e plotë të të gjitha dosjeve”, u shpreh Spiropali.

Ajo nënvizoi se kemi dakordësi të plotë edhe me PD-në për ndryshimet ligjore.

“Shqipëria duhet të ndahet njëherë e mirë nga shkuara e saj e errët dhe në rangjet e larta nuk mund të ketë njerëz që i kanë bërë dëme të rënda shtetit. Nuk ka asnjë mundësi, asnjë prej nesh të ndikojë në punën e Autoritetit të dosjeve. Përmes një ligji që do t’i bënte nder këtij vendi”, tha Spiropali.