Projekti madhor për rehabilitimin e plotë dhe zgjerimin e Spitalit Infektiv në QSUT është drejt përfundimit, ku më shumë se 70% e punimeve kanë mbaruar tashmë dhe shumë shpejt pritet të vihet në funksion të plotë.
Me një kapacitet të ri prej 118 shtretërish dhe dyfishim të ambienteve të reanimacionit, Spitali Infektiv do të kthehet në një qendër ekselence dhe reference për të gjithë vendin.

Kryeministri Rama bashkë me ministren e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu, ishin në ambientet e spitalit, të cilat në përfundim do të ofrojnë kushtet dhe standardet më të larta ndërkombëtare, për t’iu përgjigjur çdo emergjence të shëndetit publik.
“Jemi drejt përfundimit të punimeve të rehabilitimit të Spitalit Infektiv. Tashmë jemi në 70% të punimeve dhe rreth datës 15 tetor shpresojmë që ta kemi funksional spitalin infektiv që tashmë kthehet në një qendër të vërtetë ekselence dhe reference për të gjithë sëmundjet infektive. Kemi një rritje të kapaciteteve, 118 shtretër dhe zgjerojmë e dyfishojmë laboratorët dhe reanimacionin”, – u shpreh ministrja Manastirliu.

Kryeministri Rama vlerësoi ecurinë e punimeve në këtë spital i cili do të krijojë kushte optimale, jo vetëm për pacientët por edhe për stafin. “Kemi dyfishuar kapacitetet e reanimacionit nga 4 në 8 shtretër duke krijuar dy ambiente. pra janë organizuar ambientet në mënyrë të atillë që të përgjigjen për emergjenca të ndryshme të shëndetit. Ky është standardi më i lartë ku nuk besojmë që për nga pikëpamja e cilësisë të ketë asnjë problem për vitet në vijim. Çdo hapësirë është llogaritur që t’i përshtatet tipologjisë së Spitalit Infektiv dhe padyshim dhe kërkesave të mjekëve dhe studentëve”, -tha ministrja Manastirliu.

Spitali do të jetë i pajisur me çdo sistem teknologjik të fjalës së fundit si dhe me auditor e salla leksioni për studentët e mjekësisë.