Këshilli i Ministrave vendosi në mbledhjen e sotme shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, dhe shkëmbimin e pronës, në funksion të procesit të rindërtimit në zonën e planifikuar për rindërtim, sipas planit të detyruar vendor për zonën e dëmtuar pikësore, për 5 banesa kolektive, në bashkinë Durrës.
Sipas vendimit, shpronësimi dhe shkëmbimi i pronës bëhen në favor të bashkisë Durrës.
“Shkëmbimi i pasurive të paluajtshme, pronë private, për të cilat pronarët kanë pranuar kompensimin me shkëmbim për pasuritë e llojit “ndërtesë banimi” dhe “ndërtesë jobanimi” me një pasuri të ardhshme në pronësi të shtetit, bëhet referuar legjislacionit në fuqi, sipas cilësimeve në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi, si dhe marrëveshjeve/kontratave paraprake që janë lidhur/lidhen, ndërmjet Bashkisë Durrës dhe qytetarëve që shprehin dakordësinë, brenda periudhës së zbatimit të projektit”, thuhet në vendim.
Ndërsa, pronarët e pasurive të paluajtshme, që shpronësohen, kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës së kompensimit përkatës, për pasuritë e llojit “truall”, “ndërtesë banimi” dhe “ndërtesë jobanimi”, në vlerën 7 270 855 lekë.
Vlera e përgjithshme e kompensimit përballohet nga shpenzimet e fondit të rindërtimit dhe i transferohet bashkisë Durrës, në buxhetin e vitit 2022, në formën e transfertës së pakushtëzuar.
Pronarët kompensohen për efekt shpronësimi, pasi të kenë paraqitur certifikatën e pronësisë origjinale ose dublikatë, kartelën e pasurisë të rifreskuar, si dhe hartën treguese të regjistrimit, pranë bashkisë Durrës, referuar aktmarrëveshjes së lidhur.
Shpronësimi fillon menjëherë nga hyrja në fuqi e këtij vendimi.
Vendimi përcakton se bashkia Durrës kryen likuidimin e pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, të shpronësuar, dhe bën shkëmbimin e pronës, referuar aktmarrëveshjeve të lidhura.
Gjatë periudhës së zbatimit të projektit, (përfundimin e punimeve) qytetarët, nëse nuk kanë në pronësi ose në posedim objekte të tjera banimi, do të strehohen nga njësia e vetëqeverisjes vendore, nëpërmjet programeve të rindërtimit, të parashikuara në aktin normativ nr.9, datë 16.12.2019, të Këshillit të Ministrave, “Për përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore”, ose në legjislacionin në fuqi për strehimin social.
Agjencia Shtetërore e Kadastrës pezullon të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara, deri në momentin kur do të realizohen procesi i hedhjes së gjurmës së projektit mbi hartat kadastrale dhe regjistrimi i kalimit të pronësisë në favor të Bashkisë Durrës për pasuritë e shpronësuara.
Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Bashkia Durrës dhe Fondi Shqiptar i Zhvillimit për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.