Mesfushori i përfaqësueses shqiptare, Enis Çokaj, po bëhet gati për një eksperiencë të re në karrierën e tij. Futbollisti ka firmosur me klubin e njohur grek, Panathinaikos.

COKAJ

“Panorama Sport” ka mësuar se negociatat mes Lokomotiva Zagrebit, ku luan aktualisht mesfushori dhe Panathinaikosit, janë mbyllur me sukses dhe grekët kanë blerë kartonin e futbollistit.

Gazeta zbulon se Lokomotiva e Zagrebit ka përfituar 1.5 milionë euro nga shitja e kartonit të Çokajt te Panathinaikosi, ndërsa vetë lojtari ka firmosur me grekët një kontratë 4-vjeçare.

Kështu, Çokaj do të veshë fanellën e këtij klubi të njohur, i cili po synon që të kthehet përsëri në nivelet më të larta në Greqi.

Ai ka qenë pjesë e Lokomotiv Zagrebit që nga sezoni 2019-2020, duke qenë pikë fikse e skuadrës që garon në kampionatin kroat të futbollit.

Gazeta mëson se një tjetër shqiptar u tentua të blihej nga Panathinaikosi. Bëhet fjalë për mesfushorin Lindon Selahi, aty ku klubi grek hyri në bisedime me Rijekën, por në përfundim nuk arritën një marrëveshje mes tyre.

DEKLARATA

Ndërkohë, pas firmës me Panathinaikosin, Enis Çokaj ka folur ekskluzivisht për “Panorama Sport”.

“Normalisht që ndihem shumë mirë dhe mezi po pres që të shkoj te klubi i ri dhe të filloj stërvitjen, mezi pres që të luaj. Panathinaikosi është një emër i madh në Greqi, dhe pas paraqitjeve në Kroaci, tashmë do të provoj një skuadër të re”, thotë Çokaj fillimisht.

TRANSFERIMI

Mesfushori tregon edhe si u bë i mundur ky transferim, pasi dita e sotme ishte afati i fundit për merkaton në Greqi.

“Mund të them që më ka ndjekur trajneri i Panathinaikosit dhe më ka pëlqyer. Pastaj kanë biseduar ekipet me njëritjetrin dhe kanë rënë dakord”.

NDARJA ME LOKOMOTIVËN

23-vjeçari flet për largimin nga Lokomotiva dhe zbulon ekipin që ishte shumë afër tij.

“Po, është e vërtetë që kam kaluar shumë vite aty. Kam zhvilluar më shumë se 100 ndeshje dhe mendoj se kam dhënë maksimumin te Lokomotiva e Zagrebit.

Përpara dy javësh kam qenë afër kalimit te Dinamo e Zagrebit, por nuk u realizua, pastaj kisha disa ekipe të tjera që më kërkonin dhe në fund zgjodha që të firmosja për Panathinaikosin”, thotë ai ndër të tjera.

SHANSET NË KOMBËTARE

Enisi flet edhe për shanset e tij në ekipin kombëtar, me të cilin ai ka qenë disa herë i grumbulluar.

“Po, normal që rriten shanset pas këtij transferimi.

Do të filloj të marr më shumë eksperiencë dhe të kem më shumë besim te vetja. Shpresoj që në të ardhmen të jem një nga lojtarët stabël në Kombëtare”, përfundon Çokaj për “Panorama Sport”.