Në mbrëmjen e sotme në Izrael, për Kombëtaren shqiptare do të bëjë tifo edhe Islanda. Kjo e detyruar, pasi në rast suksesi të Izraelit, atëherë do të mbyllej edhe historia e grupit. “Ne presim një ndeshje të fortë mes Izraelit dhe Shqipërisë, pasi të gjitha ndeshjet në grup kanë qenë shumë afër njëra-tjetrës, me ekipe që kishin cilësi të njëjta. Mund ta shihni edhe te tre barazimet që ka marrë Islanda deri tani.
Sigurisht që për Shqipërinë do të jetë e vështirë jashtë shtëpisë, duke parë se si e humbi ndeshjen e parë me Izraelin. Megjithatë, në letër Shqipëria nuk duhet të jetë një ekip më i dobët se Izraeli dhe mund ta fitojë me patjetër ndeshjen, siç ne shpresojmë në fakt. Për më tepër që Manor Solomon i Fulham është i dëmtuar, pasi ky lojtar arriti t’i shënojë dy golat në takimin e parë. Shpresojmë se mungesa e ndeshjeve të Armando Brojës dhe minutat e pakta në këmbë te Chelsea nuk do të ndikojnë tek ai dhe t’i japë fitoren Shqipërisë”, u shpreh Valur Eirikson, gazetar në Islandë.