Kryeministri Edi Rama ka dhënë dje një intervistë për Euroneës Serbia, ku ka folur për “Ballkanin e Hapur”, rrugën evropiane të Shqipërisë, rajonin e Ballkanit dhe pasojat e luftës në Ukrainë në lidhje me aspektin ekonomik dhe energjitik.
Si një natyrë kundërshtuese, Rama nuk ka nguruar as të “debatojë” me gazetaren, kur ëhstë pyetur për rrugën e popullit shqiptar drejt Bashkimit Evropian.
“[…] Sa i përket shqiptarëve, ata janë shumë të ndryshëm nga serbët, sa i përket marrëdhënieve me Evropën. Ne jemi të orientuar pro-perëndimor. Për shkak të historisë sonë, ne ishim plotësisht të izoluar në bllokun sovjetik, një shoqëri thjesht staliniste deri në vitin 1990. Ne ishim Koreja e Veriut e Evropës. Ne morëm më të keqen nga Rusia, dhe më të dhimbshmen nga Kina – Stalinizmin dhe Revolucionin Kulturor”, është shprehur kryeministri.
Po, por ndoshta për këtë ju jeni në një pozitë më të mirë se Serbia, por përsëri nuk keni hapur asnjë kapitull?
– Nuk ka të bëjë me pozicionin, ka të bëjë me ndjenjën. Asnjëra nuk ka ndikuar në historinë tonë, kështu që ne kemi një zgjedhje. Për ne ka vetëm një zgjedhje, ajo është Perëndimi. Për ju ka Lindje, Perëndim, Lindje të Largët… Ju jeni në një pozicion tjetër.