Ministrja e Bujqësisë, Frida Krifca thotë se 740 fermerë kanë aplikuar nga veriu në jug për të marrë mbështetje financiare nga qeveria me 30.000 lekë për çdo hektarë grurë të mbjellë. Krifca tha se qasja ndaj thirrjes së skemës mbështetëse të grurit ishte fantastike pasi fermerët aplikuan për një sipërfaqe prodhimi prej 6,550 hektarë. Krifca thotë se do të vijojë mbështetja ndërsa falenderon feremerët për durimin që kanë treguar gjatë kësaj kohe.

“Qasja juaj ndaj thirrjes së skemës mbështetëse të grurit, në 24 orët e para, ka qenë fantastike, duke kaluar parashikimet tona! 740 fermerë kanë aplikuar nga veriu në jug, për një sipërfaqe prodhimi prej 6,550 hektarë, me një angazhim të buxhetit të vënë në dispozicion që në ditën e parë të thirrjes, prej 20%. Fieri, Korça, Shkodra, Vlora janë qarqet me aplikimet më të larta deri tani.

Ndërsa vijojmë shpërndarjen e skemës kombëtare edhe për masat e tjera, ju falenderojmë për durimin ndërsa alokojmë fondet dhe që jeni të vëmendshëm ndaj politikave tona. Faleminderit që e dëgjoni thirrjen tonë të re, mbështesni idetë tona dhe na jepni besim ashtu sikurse kanë bërë 35,000 fermerë që kanë marrë financim deri tani nga skema kombëtare e mbështetjes në tetë muajt e parë”, shkruan Krifca.

Për këtë ka reaguar edhe deputeti socialist, Erion Braçe, i cili ka ngritur zërin shpesh herë për subvencionimin e fermerëve. Teksa i bën thirrje bujqve që të mos hezitojnë të aplikojnë për mbështetjen e prodhimit të grurit, thotë se ka mbetur një kufizim që është fatura fiskale për farën, për të cilën thotë se ministrja e Bujqësisë do të tërhiqet.

“Ka mbetur edhe një kufizim. Është fatura fiskale për farën. Do të duhet edhe pak që ministrja të kuptojë e të pranojë që bujqit e prodhojnë vetë farën e grurit. Shumica e tyre e prodhojnë vetë farën e grurit dhe nuk kanë faturë fiskale për këtë. Do tërhiqet dhe nga ajo. Këtu do të jemi”, tha Braçe.

Qeveria ka vendosur që prej datës 1 shtator të gjithë fermerët që kultivojnë grurë do të kenë mundësinë që të aplikojnë online pranë AZHBR-së për të përfituar rimbursimin prej 30 mijë lekësh për çdo hektar grurë që ka mbjellë.

Aplikimet për këtë skemë do të qëndrojnë të hapura deri në 23 shtator dhe të gjithë fermerët që do të aplikojnë duhet të jenë aktiv me NIPT, të kenë dokumentin që vërteton se kanë tokën në pronësi, në përdorim ose me qira, si dhe duhet të kenë të ruajtura faturat e fiskaliziuara të farës së blerë dhe plehrave kimike.

Përfitues do të jenë ata fermerë që do të mbjellin e kultivojnë grurë pas hyrjes në fuqi të këtij vendimi, ndërsa pagesa do të bëhet pas verifikimit në terren të sipërfaqes së mbjellë. Të parët që do të marrin mbështetjen financiare do të jenë ata fermerë që kanë më shumë sipërfaqe të mbjellë, e deri të sipërfaqja më e vogël. Nëse ka fermer me të njëjtën sipërfaqe të mbjell, subvencionin e merr fillimisht ai që ka aplikuar i pari.

Në total për këtë skemë janë vënë në dispozicion nga buxheti i shtetit 500 milionë lekë, dhe një mbështetje e tillë ka si synim rritjen e sipërfaqes së mbjellë me grurë, për shkak të shtrenjtimit të këtij produkti në tregjet e huaja.