Adriatik Doçi
Dokumente të siguruara nga Report Tv konfirmojnë se landfilli i Elbasanit, i kthyer në kalë beteje nga opozita e drejtuar nga Sali Berisha dhe Ilir Meta, ka kushtuan tre herë më lirë se sa landfilli i Vlorës. Kjo certifikatë përfundimtare punimesh (situacion) që mban datën 30 maj 2017, tregon se i gjithë impianti i trajtimit të mbetjeve dhe prodhimit të energjisë në Elbasan ka kushtuar 21.6 milionë euro, ndërsa vetëm landfilli ku depozitohen mbetjet ka kushtuar 3.5 milionë euro.
Ndërkaq, ky dokument i datës 12 qershor të vitit 2020, për shpalljen e fituesit të projektit, tregon se landfilli i Vlorës ka kushtuar 9.8 milionë euro, pra 6.3 milionë euro më shumë se sa landfilli i Elbasanit. Landfilli i Vlorës ka një kapacitet prej 350 mijë ton mbetje dhe do të funksionojë për 5 vite, në fshatin Sherishtë, 10 kilometra në lindje të Vlorës.
Ndërsa kapaciteti i landfillit të Elbasanit është 360 mijë ton, 10 mijë tonë më shumë se sa landfilli i Vlorës. Pra, edhe pse ka kushtuar rreth 3 herë më lirë, landfilli i Elbasanit tejkalon atë të Vlorës sa i takon kapacitetit për depozitimin e mbetjeve, për t’ju nënshtruar më pas trajtimit.
Tenderi për zbatimin e projektit për vendimin e grumbullimit të mbetjeve në Vlorë u fitua nga kompania Integrated Technology Services në bashkëpunim me kompaninë italiane Bulfaro Spa. Projetki u financua nga banka gjermane KfË. Pronari i Integrated Technology Services është Klodian Zoto, i shpallur në kërkim ndërkombëtar për pastrim parash dhe korrupsion, si pjesë e së ashtuquajturës afera e inceneratorëve.
Po pse opozita, sidomos Partia e Lirisë, i është sulur projektit të Elbasanit dhe hesht për atë të Vlorës, edhe pse të dy landfillet janë ndërtuar nga Klodian Zoto?
Arsyeja duket se fshihet tek raporti i Ilir Metës për t’u bërë pjesë e pazarit. Projekti i Vlorës financohet dhe mbikëqyret nga gjermanët, ku asnjë politikan i korruptuar nuk ka asnjë shans të bëhet pjesë dhe të devijojë një pjesë të parave drejt tij, siç ka ndodhur për çështjen CEZ. Ndërsa projekti për zgjidhjen e çështjeve të mbetjeve në Elbasan është financuar nga buxheti i shtetit, ku duket se pushtetarë dhe ish pushtetarë janë përplasur për të përfituar.
Sipas të dhënave zyrtare të siguruara nga Report Tv, landfilli i Elbasanit ka kushtuar gjithashtu më lirë edhe se sa landfilli i Korçës. Ky landfilli ka kushtuar 5.7 milionë euro, ku është parashikuar që do të depozitojnë mbetje bashkitë Korçë, Maliq, Pogradec, Devoll, Kolonjë dhe Pustec.
Gënjeshtra e Kryemadhit
Në korrik të këtij viti, deputetja Monika Kryemadhi denoncoi një skemë evazioni fiskal dhe mashtrimi nga 24 kompani që sipas Kryemadhi kishin lidhje me Inceneratorin e Tiranës.
Report Tv zbuloi Tatimet kishin identifikuar 500 kompani të përfshira në evazion fiskal. Shkaku i këtij fenomeni masiv ka të bëjë me ndryshimin e sistemit të TVSH-së dhe jo me çështjen e inceneratorëve.
Denoncimi i Kryemadhit në vitin 2022, në fakt është një denoncim i vetë Tatimeve që në vitin 2018. Ka pasur një hetim të prokurorisë, i cili është finalizuar me arrestime dhe më pas nga dënime me burg nga gjykatat, të kompanive të ndryshme. Nuk përjashtohet mundësia që mes subjekteve të ketë edhe kompani që kanë bashkëpunuar me Inceneratorin e Tiranës, por skema është një fenomen masiv, ku kamuflimi me çështjen e inceneratorit është një gënjeshtër e mirëfilltë.
Janë dënuar në vitin 2020 Lumturije Murati pronare e kompanisë ‘Lumi 06’, Emiljano Frroku i kompanisë “EL ZA”, Ender Sheshi pronar i kompanisë ‘Leli 17’, Robert Shabani dhe Lirim Jella pronarë të kompanisë “R.S.I&T GROUP”, Drita Frangaj pronare e kompanisë ‘AA-117’, Santiljano Çifligu pronar i kompanisë AL-BER CO&CO etj., që të gjitha të denoncuara nga Monika Kryemadhi në vitin 2022, si zbulim i ri i LSI-së.
E njëjta gjë ka ndodhur edhe me koncensionarin e Elbasanit. Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi kanë denoncuar 8 kompani për llogaritë e tyre politike, kur në fakt janë 80 kompani që kanë pasur raporte kontraktuale me koncesionarin./Shqiptarja.com