Nga Enver Robelli
Në vitet 90-të një organizatë humanitare katolike nga Italia do të dërgonte disa fëmijë nga Shqipëria në Itali për t’i shkolluar. Mes tyre ishte edhe Klodi nga Fushë Kruja. Në Itali, në vendin e pastas dhe 1001 mrekullive kulinarike, Klodi do të zbulonte pasionin e gatimit. Afërmendsh, ai u kualifikua për kuzhinier. Punoi me përkushtim në Itali, por një ditë vendosi të provojë fatin në Lisbonë. Dhe erdhi. Për t’i rënë shkurt muhabetit: sot në restorantin e tij La Villa Lisboa punojnë gati 30 veta. “Erdhëm, na pëlqeu dhe mbetëm në këtë qytet të bukur”, tregon Klodi.
Alberti dhe Sedati janë nga Gostivari. Rrëfimi do të ishte tejet i padrejtë dhe i paplotë po të mjaftoheshim me informacionin se këta dy shqiptarë shesin akullore në Lisbonë. Po, e bëjnë edhe këtë, te Memetti Gelato, Centro Histórico, Lisboa. Por duhet dëgjuar Albertin ndërsa rrëfen në një natë të freskët në Lisbonë (këtu pothuaj të gjitha netët janë këndshëm të freskëta), për të kuptuar se disa mërgimtarë shqiptarë pa marrë parasysh se ku i përplasin valët e jetës, ata prapë çohen në këmbë dhe ia shkelin syrin suksesit. Puna e Albertit është kështu: babai i tij dhe familjarë të tjerë në vitet 80-të punonin në Vinkovci të Kroacisë, kishin dyqane, shisnin ushqime të shpejta, qofte e specialitete të tjera. Pastaj shpërtheu lufta, edhe Vinkovci u godit nga forcat serbe, jo aq tmerrshëm sa Vukovari, por, megjithatë, pasojat qenë të dukshme, sidomos për ekonominë.
“Ende i kemi lokalet në Vinkovci, disa i kemi dhënë me qira, një është mbyllur”, tregon Alberti. Në fillim të viteve 90-të ai emigroi në Amerikë. Si shumë shqiptarë të Maqedonisë edhe ai kishte familjarë përtej Atlantikut. Punoi, punoi, punoi dhe një ditë përfundoi në Londër. Kishte një ide për biznes: hapi një firmë që përkujdeset për qentë kryesisht të figurave prominente. Biznesi në Londër ec mirë, ka njerëz që paguajnë mijëra euro që një punëtor i Albertit t’ua dërgoj qenin nga Londra përmes Zürichut në Dubai. Natyrisht qeni udhëton në biznis-klasë. Një ditë, për arsye familjare, Alberti vendosi të shkojë në Lisbonë dhe filloi të bëjë atë që dinë mirë shumë shqiptarë të Maqedonisë: të prodhojë dhe shes akullore. Bashkë me vëllain e tij Sedatin, i cili është inxhinier. Ky është vetëm fillimi. Pakkush do të befasohej nëse pas 1 apo 2 vitesh të rritej numri i ëmbëltoreve të Albertit dhe Sedatit në Lisbonë. Ndërkohë biznesi në Londër me siguri do të vazhdojë të shkojë mirë si deri më tani, sepse të pasurit mbeten të pasur dhe qentë e tyre do t’u shkojnë pas.
Alketi njëherë emigroi nga Fieri në Greqi, pastaj iku në Gjermani, sepse “më 1997 në Shqipëri ndodhi ajo që ndodhi”. Punoi në Frankfurt, por disi s’arriti të rehatohet në ftohtësinë gjermane. Erdhi në Lisbonë. Në fillim të këtij shekulli. Në restoranti e tij Il Giardinetto shërben specialitete nga kuzhina italiane. Por Alketi është më shumë se gastronom. Duke qenë se ishte ndër shqiptarët e parë që u vendos në Portugali (në fillim të këtij shekulli), ai ishte adresa e parë për shumë shqiptarë të tjerë, andaj me të drejtë konsiderohet si ambasadori i parë i shqiptarëve në Portugali.
Nuk ka shumë shqiptarë në Portugali, ndoshta rreth 100, tregon ambasadori i Kosovës në Lisbonë, Ylber Kryeziu. Por që nga hapja e ambasadës në vitin 2019, numri i tyre është shtuar. Dhe është shtuar falë angazhimit të diplomatit të ri kosovar, i cili është më shumë se diplomat. Nuk është prej atyre zyrtarëve që i përton punës (të tillë ka mjaft, fatkeqësisht). Falë angazhimit të tij, dhjetëra studentë nga Kosova janë duke kryer studimet në nivelin master në Portugali (me bursa portugeze dhe në kuadër të shkëmbimeve me universitetet e Kosovës). Prania diplomatike e Kosovës në Lisbonë ka ndikuar në krijimin e kontakteve veçanërisht me diplomatë të shteteve portugalishtfolëse. Gati 300 milionë njerëz në mbarë botën flasin portugalisht, mes tyre edhe shtete të mëdha si Brazili. Si rezultat i punës sistematike të ambasadorit Kryeziu dhe stafit të tij, pritet që në parlamentin portugez të themelohet një grup i miqësisë me Kosovën. Lisbonën e kanë vizituar disa delegacione nga Kosova.
Nga Portugalia Kosova mund të mësojë shumë. Mbi 60 për qind e energjisë elektrike në këtë vend vjen nga burimet e ripërtëritshme. Sektori i bujqësisë i Portugalisë është mjaft i zhvilluar dhe këtu ka potencial për bashkëpunim me Kosovën, më saktë, sërish, Kosova mund të marrë disa leksione interesante në brigjet e Atlantikut. Kontaktet me afaristë të njohur portugezë tashmë ekzistojnë dhe për këtë meritore është Ambasada e Kosovës në Lisbonë.
Me gjasë ka më shumë portugezë që kanë qenë në Kosovë se shqiptarë që kanë vizituar Portugalinë. Dhe ka një arsye për këtë: është historia më e re e Kosovës. Rreth 7000 ushtarë e oficerë portugezë kanë shërbyer në Kosovë në kuadër të trupave të NATO-s. Pastaj disa dhjetëra policë, gjykatës e prokurorë në kuadër të UNMIK-ut apo EULEX-it. Shumica prej tyre ruajnë kujtime të mira nga koha e kaluar në Kosovë. Ndonjërin prej tyre e merr malli të shijojë diçka nga kuzhina kosovare, për shembull qofte, qebapë apo byrekë. Edhe kjo dëshirë u është plotësuar ushtarakëve portugezë. Në pritjen e parë të Ambasadës së Kosovës për nder të 17 shkurtit, u mobilizuan gastronomët shqiptarë të Lisbonës, të prirë nga Alberti dhe Sedati, dy djemtë e zellshëm nga Gostivari. “Për besë qoftet dolën shumë të mira”, tregon Alberti nën hijen e stacionit të trenit Santa Apolónia të Lisbonës. Në pritje mori pjesë edhe shefi i armatës portugeze, një gjest i pazakonshëm dhe shenjë respekti si ndaj Kosovës ashtu edhe ndaj ushtarëve portugezë që kanë shërbyer në Kosovë.
Ndërsa treni nga Lisbona në Porto nganjëherë marshon me shpejtësi deri në 220 kilometra në orë, një rikujtim: Portugalia e ka njohur pavarësinë e Kosovës në tetor të vitit 2008. Shumë politikanë portugezë e shohin kombin e tyre si “komb atlantik”, rrjedhimisht raportet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të ngushta.
Prania diplomatike e Kosovës në Lisbonë ka pasur edhe një efekt: propaganda e Ambasadës së Serbisë nuk kalon më pa kundërshtime. Së fundi nga përfaqësia diplomatike e Beogradit në Lisbonë lajmi më i bujshëm ka qenë vdekja e ambasadorit Oliver Antiq. Ai vdiq jo larg Lisbonës duke rrëshqitur në Atlantik nga vendi i quajtur “Fyti i ferrit”. Mediat serbe supozojnë se Antiq ka kryer vetëvrasje, pak ditë pasi në Beograd ishte dorëzuar një padi private kundër tij me akuzën e tmerrshme se ka keqpërdorur seksualisht vajzën e tij 9-vjeçare. Antiq ka qenë njëri nga profesorët më ultranacionalistë dhe më primitivë të Fakultetit Juridik të Universitetit të Beogradit në vitet 90-të, i akuzuar për shitje notash në fakultet, adhurues i flakët i Vojisllav Sheshelit, këshilltar i presidentit Tomisllav Nikoliq. Nejse, kjo me ambasadën serbe në Lisbonë ishte një fusnotë. Një ambasador me gjasë pedofil që përfundon në fytin e ferrit.