Në konferencën e fundit të Këshillit të OKB-së u diskutuan shifrat e vrasjeve që janë identifikuar që prej fillimit të luftës në Ukrainë. Që nga fillimi i luftës, Kombet e Bashkuara kanë verifikuar vrasjen e 5,718 civilëve, duke përfshirë 372 fëmijë, por shifrat aktuale ka të ngjarë të jenë dukshëm më të larta, i tha Këshillit të Sigurimit drejtuesja e Çështjeve Politike të OKB-së.
Duke informuar Këshillin, Nënsekretarja e Përgjithshme për Çështjet Politike dhe Ndërtimin e Paqes, Rosemary A. DiCarlo, tha se “të gjitha këto shifra dhe fakte, megjithëse tronditëse, nuk mund të transmetojnë shkallën e plotë të tragjedisë”.
Ndërsa, Ambasador i Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit Ferit Hoxha tha se konferenca që u zhvillua tregon shqetësimet e forta gjatë gjashtë muajve të fundit në lidhje me arrestimet e pretenduara të civilëve ukrainas, të cilat nuk janë më pretendime. Hoxha tha se sipas raporteve, njerëzit që kalojnë nëpër kampet ruse abuzohen deri në tortura fizike.
“Këto shqetësime janë fakte që janë konfirmuar dhe verifikuar me kujdes nga grupet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut, mediat dhe të tjerët dhe veprime të tilla janë kundër ligjit ndërkombëtar. Federata Ruse po kryen inxhinieri sociale në Ukrainë. Asnjë organ i pavarur nuk është lejuar të vizitojë kampet e filtrimit. Raportet theksojnë se njerëzit që kalojnë nëpër kampe abuzohen, madje edhe torturohen fizikisht. Gjithashtu, ka edhe transferime të dhunshme të të rriturve dhe fëmijëve. Individë janë arrestuar dhe fati i shumë personave nuk dihet”, u shpreh Hoxha.
Duke vënë në dukje se këto kampe filtrimi janë të rrënjosura në historinë e Federatës Ruse, ai tha se vlerësohet që 1.5 milionë njerëz të kenë kaluar nëpër këto kampe që nga qershori.
“Më tej, rusët kanë ndarë fëmijët ukrainas nga familjet e tyre dhe i kanë vendosur në familje ruse. E drejta ndërkombëtare humanitare ndalon transferimin me forcë të njerëzve. Krimet ndërkombëtare të kryera në Ukrainë nuk do të mbeten pa u ndëshkuar. Kjo mund të jetë vetëm maja e ajsbergut,” tha ai.
“Nëse Federata Ruse nuk ka asgjë për të fshehur, ajo duhet t’u japë organeve të Kombeve të Bashkuara akses të pakufizuar”, shtoi më tej.