Roja Kufitare e Finlandës kërkon ndërtimin e një barriere për të penguar rusët që duan të kalojnë në Finlandë pasi presidenti rus Vladimir Putin shpalli më 21 shtator mobilizim të pjesshëm.
Sipas lajmeve në shtypin lokal, në një raport të paraqitur nga Roja Kufitare e Finlandës është propozuar ndërtimi i një barriere fizike në kufirin Finlandë-Rusi për shkak të “ndryshimeve të vërejtura në situatën e sigurisë”.
Në raport bëhet e ditur se me pengesën, synohet që të parandalohet hyrja në vend e rusëve që largohen nga lufta pasi Rusia shpalli mobilizim të pjesshëm. Pasi Kostamovaara, shefi i Rojës Kufitare të Finlandës, ka deklaruar se barriera do të përfshijë një zonë prej 130 deri në 260 km në kufirin lindor të Finlandës. Më tej Kostamovaara vuri në dukje se procesi për ndërtimin e gardhit pengues do të zgjasë 2 deri në 3 vite.
Autoritetet e Rojës Kufitare të Finlandës kanë bërë të ditur se në kalimet në Finlandë është vërejtur rritje pas shpalljes së mobilizimit të pjesshëm nga Rusia. Disa shtetas rusë janë përpjekur të largohen nga vendi pasi në Rusi u shpall mobilizim i pjesshëm dhe për shkak të kërkesave për bileta avioni jashtë vendit, janë mbaruar biletat drejt shumë vendeve në të cilat vazhdojnë fluturimet nga Rusia. Pikat kufitare në Finlandë përbëjnë pikat e rralla të kalimit për hyrjen e shtetasve rusë në vendet e Bashkimit Evropian (BE) nga toka. Për shkak të sanksioneve të BE-së ndaj Rusisë, është e pamundur të kryhen fluturime nga Rusia drejt vendeve të BE-së. Po ashtu edhe vendet e tjera të BE-së që janë në kufi me Rusinë nuk lejojnë kalimet.