Rikthimi i temës së dekriminalizimit në skenën politike, ku të majtë e të djathtë kanë depozitar draftet në Kuvend, analisti Frrok Çupi e cilëson si një historik që ka peshuar më së shumti në fillim të viteve ‘90-të dhe asnjëherë nuk ka marrë zgjidhje.
Çupi tha se me kërkesat e publikut është kërkuar që të hapen dosjet, e kanë kërkuar të përndjekurit, duke kërkuar që t’u jepet një homazh dhe që të njihen me xhelatët.
Sipas tij, në kushtet e Shqipërisë të një komunizmi aq të egër sa i yni, edhe bashkëpunëtorët më të egër që kanë spiunuar, këta hyjnë në radhën e njerëzve që i kanë shërbyer regjimit, xhelatit dhe diktaturës.
Ai e cilësoi si një fat i keq që më në fund duhet larë shpirti dhe se duhet larë politika, por se duhet të ishin hapur kartat, gjë që nuk është bërë sipas tij, pasi politika e lartë e shtetit e ka mbajtur shoqërinë shqiptare në një dhomë të egër.
“E ka përdorur gjithë mëkatin e shoqërisë për interesat e veta.
Të gjithë spiunët kanë qenë të angazhuar me qeverisjen dhe Parlamentin.
Ky ka qenë makabritet. Iniciativa për të hapur dosjen, s’ka shumë vlerë se është e vonë.
Por ka vlerë se duhen hapur, së paku sipas modelit të Gjermanisë Lindore. Në Gjermaninë Lindore ka të drejtë edhe nipi të kërkojë dosjen e gjyshit”, tha ai.
Çupi u pyet lidhur me akuzat e bëra ndaj tij si spiun dhe bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit, dhe në këtë moment foli për dy akuza.
“Një akuzë që vjen nga kreu i shteti që në vitin 1996-1997, akuza të tjera të njerëzve që nuk kanë çfarë thonë dhe më në fund thonë spiun.
Kjo është një histori shumë e shkurtër që nuk ka të bëjë me mua, unë nuk kam asnjë lidhje as me Sigurimin e Shtetit dhe as me këto akuza. Si thotë ajo shprehja, ‘sikur të kisha qenë’.
Të gjithë njerëzit me dosje në Sigurimin e Shtetit, janë me probleme, të shantazhueshëm, për të thënë të vërtetën, ose nga halli, se jo nga halli janë angazhuar me qeverisjen.
Qeverisja e PD i ngarkoi me makthe më të mëdha, deputetët, ministrat dhe këshilltarët e PD, janë kontigjente të spiunëve dhe Berisha nuk ka funksionuar dot pa pasur spiunë, njerëz të shantazhueshëm.
Fat i madh, ose ndoshta s’kam takuar njeri të Sigurimit në jetën time. Këtë që thoni ju duhet të kërkojnë Frrok Çupit tjetër, unë nuk jam.
Është një akuzë e krijuar në vitin 1997 nga presidenti i Republikës, se jam kritik i krimit, e njoh krimin e Berishës dhe Metës, sidomos Berishës, që është strumbullari i këtyre akuzave.
Në vitin 1997 kur kandidova për deputet krijuan komisione Mezini-Bezhani dhe presidenti i tha Mezinit duhet të më gjesh një gjë për këtë njeri.
Gjykata Kushtetuese e ka rrëzuar shpifjen si antikushtetuese dhe të pavlerë.
E kam çuar çështjen në gjykatë se ishte fyese, ia kam thënë dhe gazetarit (Rakipllarit) dhe miqësisht, që je duke shpifur dhe po bën shumë gabim.
Çështja shkoi në gjykatë, gjykatësi të cilin nuk e kam takuar kurrë, ka vendosur që të operojë jo mbi dokumentet që kanë ardhur në gjykatë, po mbi dokumentet e komisionit Mezini në vitin 1997, që kishte krijuar fantazma dhe shpifje që i rrëzoi Gjykata Kushtetuese.
Gjykatësi i Shkallës së Parë nuk mund të gjykojë vendimin e shkallës Kushtetuese, gjyqtarët tanë janë të korruptuar.
Është Gjykatë e Shkallës së Parë, nuk është Gjykatë e Shkallës së Dytë dhe përfundimtare.
Nuk jam marrë dhe nuk merrem. Avokati po bën punën e vetë.
Është çështje qesharake gjyqësore, që një gjykatës merr si argument një dokument që është rrëzuar nga Gjykata Kushtetuese dhe nuk merret më në konsideratë.
Kam qenë shumë larg kësaj gjëje, di më shumë agjenturat gjermane se sa tonat.
Por këtu ka ndodhur një kasaphanë për këto dosje, është e pamundur që të tëra dosjet të eliminohet.
Dosja e Ilir Metës mendonte se e ka zhdukur, por ndodhej diku tjetër.
Është një proces që sado shtet i shkatërruar të ishte shteti komunist, këto dosje janë atje.
Nuk besoj se ndodh shumë gjë nga hapja, po thuhet dekomunistizim. Është një frazë shumë e madhe.
Më mirë të thuhej të largohen anëtarët e Partisë së Punës, të vetmit që janë Sali Berisha dhe Tritan Shehu, PS nuk ka pasur.
Kryesorët janë Sali Berisha dhe Ilir Meta, të tjerët nuk shkaktojnë dëme”, tha ai.