Bota nuk ka qenë kurrë në një pozicion më të mirë për t’i dhënë fund pandemisë COVID-19, tha të mërkurën kreu i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, duke u kërkuar vendeve që të vazhdojnë përpjekjet e tyre kundër virusit që ka vrarë mbi gjashtë milionë njerëz.
“Fundi i pandemisë duket në horizont,” u tha gazetarëve drejtori i përgjithshëm i OBSH-së Tedros Adhanom Ghebreyesus në një konferencë virtuale për shtyp. Komenti ishte më optimisti nga agjencia e OKB-së që kur e shpalli koronavirusin një emergjencë ndërkombëtare në janar 2020 dhe filloi ta përshkruajë atë si një pandemi në mars 2020.
Virusi, i cili u shfaq në Kinë në fund të vitit 2019, ka vrarë afro 6.5 milionë njerëz dhe ka infektuar 606 milionë, duke tronditur ekonomitë globale dhe sistemet e kujdesit shëndetësor. Përhapja e vaksinave dhe terapive ka ndihmuar në frenimin e ashpërsisë së sëmundjes. Vdekjet nga COVID-19 javën e kaluar ishin më të ulëtat që nga marsi 2020, raportoi OBSH.
Tedros Adhanom Ghebreyesus u bëri thirrje vendeve që të vaksinojnë 100 për qind të grupeve të tyre me rrezik të lartë dhe të vazhdojnë testimin për virusin. OBSH paralajmëroi për mundësinë e valëve të ardhshme të virusit dhe tha se vendet duhet të mbajnë furnizime adekuate të pajisjeve mjekësore dhe punonjësve të kujdesit shëndetësor.