Tiranë, 1 Shtator – Gati fillimi i fazës së dytë të rehabilitmit të Spitalit Pediatrik në QSUT. Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu ndau me mjekët lajmin e nisjes së afërmi të punimeve për Pediatrinë e Përgjithshme, pjesë e investimit madhor të modernizimit të Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë.

“Ashtu sikurse e kemi premtuar, ne fillojmë me fazën e dytë te rehabilitimit të Spitalit Pediatrik, pas përfundimit të fazës së parë, ku ndërtuam një godinë të re për shërbimet e reanimacionit, të kirurgjisë dhe urgjencës pediatrike. Faza e dytë është një investim i qeverisë shqiptare në vlerën 6.2 milionë euro. Tashmë janë përfunduar dhe të gjithë proçedurat dhe jemi gati për të filluar punën për rehabilitimin e strukturës së Pediatrisë së Përgjithshme në Spitalin “Nën ë Tereza”, tha Manastirliu.

Gjatë takimit me mjekët, Ministrja Manastirliu tha se kantieri i shëndetësisë nuk është ndalur për asnjë moment në QSUT.

“QSUT është një kantier punësh që është në përfundim e sipër, siç është Spitali Infektiv dhe Spitali i ri I Sëmundjeve të Brendshme, por edhe një kantier në vijim, që do të vijojë të na ofrojë përmirësime të reja në infrastrukturë, siç është Spitali i Kardiokirurgjisë dhe ai I Djegie-Plastikës, për të ecur në fazën tjetër të projektit që kemi për modernizimin e QSUT-së”, tha Manastirliu.

Spitali i ri pediatrik I përfunduar në fazën e parë ofron kushte me standarde europiane, duke përfshirë tre shërbime: Urgjencën, Reanimacionin dhe Kirurgjinë infantile. Modernizimit të QSUT-së do të vijojë me Spitalin Infektiv që pritet të përfundojë së shpejti, me Spitalin e ri të Sëmundjeve të Brendshme, që do ta përmbyllet brenda këtij viti si dhe pritet të nisin së shpejti një seri investimesh për fazën e fundit të modernizimit të QSUT.