Sekretari i Përgjithshëm i PS Damian Gjiknuri ka takuar në Berlin ish-Presidentin e Parlamentit Europian, Martin Schulz, aktualisht drejtues i “Friedrich Ebert Stiftung”. Në një postim në rrjete sociale, Gjiknuri thekson se në fokus të takimit ishin çështjet e integrimit dhe rrugëtimi I Shqipërisë drejt BE-së. “Gjithmonë kënaqësi të takoj Martin Schulz, një mik i imi dhe mbështetës solid i Shqipërisë, aktualisht President i “Friedrich Ebert Stiftung”. E falenderova për bashkëpunimin dhe mbështetjen që fondacioni i ka dhënë Partisë Socialiste. Diskutuam për çështjet e integrimit në Bashkimin Evropian, rrugën e Shqipërisë dhe sfidat me të cilat ndeshet aktualisht Bashkimi Evropian”, tha Gjiknuri.Më herët, numri dy i socialistëve zhvilloi një takim pune në Berlin me Sekretarin e Shtetit në Ministrinë e Bashkëpunimit Ekonomik, Niels Annen.
“Folëm për bashkëpunimin dypalësh, mbështetjen e Gjermanisë, zhvillimet e brendshme dhe rolin e Shqipërisë në politikën rajonale. Na siguroi se Gjermania mbështet plotësisht integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian dhe do të vazhdojë të japë kontribut themelor në procesin e integrimit rajonal duke mbështetur nëpërmjet mekanizmave të BE dhe ato bilateriale investimet që synojnë ndërlidhjen rajonale”, shkruan Gjiknuri në FB.
https://www.facebook.com/100044561824064/posts/pfbid02bzMpCappxm5NPC6mW8zeC2WFSDTGgeStZZkVFKLTLpYi497BJFK11YvsTHEgFwQhl/