Në vijim të vizitës së tij në Gjermani, delegacioni i Partisë Socialiste i kryesuar nga Damian Gjiknuri u prit në një takim të veçantë nga Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste Evropiane Achim Post, njëkohësisht deputet i Bundestagut si përfaqësues i socialdemokratëve. Përmes një postimi në Facebook, Gjiknuri nënvizon se në fokus të këtij takimi ishte axhenda e Kongresit të PSE-së që pritet të mbahet në Berlin në tetor dhe integrimi i Ballkanit Perëndimor në BE.

“Me Sekretarin e Përgjithshëm të Partisë Socialiste Evropiane Achim Post, njëkohësisht deputet i Bundestagut si përfaqësues i socialdemokratëve. Diskutuam mbi axhendën e Kongresit të PSE-së që pritet të mbahet në Berlin gjatë muajit të ardhshëm. Me rëndësi që ky forum i lartë politik që mbledh aktorë të rëndësishëm nga e gjithë Evropa të përforcojë mesazhin për nevojën e përshpejtimit të procesit të integrimit evropian për Ballkanin Perëndimor. Kënaqësi të bashkëpunosh me këtë mik të mirë të Shqipërisë”, shkruan Sekretari i Përgjithshëm i PS-së, Damian Gjiknuri.