Kriza energjietike ka goditur edhe industrinë e qumështit në Greqi.
Industria e qumështit përballet me kosto më të larta të energjisë dhe paketimit, teksa fermerët kanë përherë e më shumë kosto të larta të ushqimit të kafshëve.
Kriza duket se ka goditur më së shumti fermerët, të cilët ankohen se bagëtitë e tyre nuk ushqehen mirë.
Shumë prej tyre preferojnë t’i therin kafshët për mish, në vend që t’i mbajnë për të prodhuar qumësht.
Drejtuesit e industrisë së qumështit, duke biseduar me gazetarët e Kathimerini në fillim të verës, vlerësonin se fermerët e qumështit po sillnin 4-5% më pak qumësht se në vitet e kaluara.
Sipas statistikave zyrtare për gjysmën e parë të vitit 2022, janë dorëzuar 331,730 ton qumësht lope, nga 346,504 ton gjatë gjysmës së parë të 2021, duke shënuar një rënie prej 4,26%.
Numri i prodhuesve gjithashtu vazhdon të zvogëlohet vazhdimisht, nga 2,160 vitin e kaluar në më pak se 1,900 që nga muaji prill.
Mungesa në treg dhe rritja e kostove kanë rritur çmimet e prodhimit të qumështit: në qershor, çmimi i prodhimit për qumështin e lopës ishte 0,51 € për litër, nga 0,38 € ose 34%, nga një vit më parë; për qumështin e deleve çmimet u rritën 30%, nga 0,93 € për litër në 1,21 €.
Çmimet e prodhimit të qumështit të deleve dhe dhisë janë në nivelet më të larta historike, vë në dukje industria e qumështit Dodoni.
Sipas autoritetit të statistikave ELSTAT, çmimi i qumështit është rritur 10,55% që nga fillimi i vitit 2022 dhe 15,1% nga viti në vit; djathrat janë rritur mesatarisht 15% dhe 19%, ndërsa kosi është 7% më i lartë se në fillim të vitit 2022.