Prokuroria e Posaçme regjistroi procedimin e 3-të penal për ish-Presidentin Ilir Meta në bazë të kallëzimit të bërë nga avokati Idajet Beqiri për disa vepra penale mes të cilave korrupsioni, pastrimi i parave dhe fshehja e pasurisë.
Lajmi konfirmohet zyrtarisht nga SPAK për Televizionin Klan. Hetimi është në fazën paraprake të tij, ku prokuroret do të verifikojnë fillimisht dokumentacionin. Kallëzimi kishte në fokus trajtimet estetike, që sipas denoncuesit, kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi kanë kryer në spitale jashtë vendit në San Marino dhe Vjenë.
Avokati ka sqaruar se ka dorëzuar në SPAK një faturë me vlerë mbi 287 mijë Euro për të cilën thotë se është pagesa për një ndërhyrje të kryer nga Kryemadhi dhe transferta është bërë nga një llogari offshore në Qipro. SPAK ka konfirmuar më herët se në bazë të dy kallëzimeve të tjera për ish-Presidentin dhe njerëz të lidhur me të, ka regjistruar edhe dy hetime te tjera penale për fshehje të pasurisë.