Kryeministri izraelit Yair Lapid tregoi gjatë fjalimit në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, historinë e vajzës së tij, e cila vuan nga autizmi i theksuar. Unë kam një vajzë të vogël me aftësi të kufizuara. Ajo quhet Yaeli. Ajo është autike. Ajo nuk flet”, tha Lapid. Lapid më pas tregoi ngjarjet e konfliktit 11-ditor midis forcave izraelite dhe militantëve palestinezë në Rripin e Gazës, në maj të vitit të kaluar, gjatë të cilit u lëshuan raketa nga rajoni i kontrolluar nga Hamasi.
Forcat ajrore izraelite bombarduan objektiva të shumta në Rripin e Gazës përpara se Egjipti të ndërmjetësonte një armëpushim midis Hamasit dhe Izraelit. Lapid tregoi për një sulm me raketa në Tel Aviv gjatë konfliktit kur atij do t’i duhej të shpëtonte vajzën. ”Më duhej ta zgjoja në tre të mëngjesit dhe të vrapoja me të në strehimin antiajror, sepse raketat po shpërthenin mbi shtëpinë tonë”, tregoi ai.
“Të gjithë ata që predikojnë rëndësinë e paqes janë të ftuar të përpiqen të vrapojnë në një strehë sulmi ajror në tre të mëngjesit me një vajzë që nuk flet. Për t’i shpjeguar asaj, pa fjalë, pse ka nga ata që duan ta vrasin”, theksoi Lapid. Lapid tha se Izraelit i ishte kërkuar vazhdimisht pse nuk i hiqte kufizimet në Gaza.
“Ne jemi gati ta bëjmë këtë nesër në mëngjes. Ne jemi gati të bëjmë më shumë se kaq”, tha ai. ”Izraeli ka deklaruar se është i gatshëm të ndihmojë në ndërtimin e një jete më të mirë për popullin e Gazës”, tha ai. ”Ne kemi vetëm një kusht. Ndaloni lëshimin e raketave kundër fëmijëve tanë”, përfundoi ai.