Qeveria do të legalizojë duke amnistuar në këtë mënyrë, ndërtuesit për katet pa leje të kullave. Vendimi i publikuar në fletoren zyrtare ka hyrë në fuqi këtë të hënë dhe ekzekutivi ka zgjedhur të nxjerrë një akt të ri dhe jo të përdorë ligjin e legalizimeve, me synimin për t’i marrë një shumë më të madhe parash ndërtuesve për buxhetin e shtetit.
Nëse do të përdorej ligji i legalizimeve, ndërtuesit do të paguanin një vlerë simbolike për të legalizuar katet pa leje, ndërkohë që duke futur në VKM çmimet zyrtare të hartës së tokës, për një m2, vlera që ndërtuesit do të paguajnë është minimalisht 70 deri në 100 mijë për m2 lekë të reja në varësi të zonës ku është ndërtuar.Sipas vendimit, qeveria do të konfiskojë ndërtimet pa leje duke lidhur një akt noterial me ndërtuesin, të cilin do ta paguajë me vlerën simbolike 1 euro për ti marrë përkohësisht pronësinë e kateve pa leje.Në këtë mënyrë qeveria dhe ndërtuesi do të lidhin një kontratë për një objekt i cili nuk figuron ligjërisht në asnjë dokument shtetëror, përfshi këtu Kadastrën, por që nuk njihet nga asnjë institucion bankar.Akti noterial përbën shprehjen e interesit të subjektit për një ndryshim të lejes së ndërtimit e cila më pas merret në shqyrtim nga KKT. Nëse kërkesa pranohet, dhe me shumë gjasa kështu do të ndodhë, pasi në të kundërt qeveria nuk do të lidhte marrëveshje me ndërtuesin, KKT do të legalizojë shtesën apo ndërtimin duke nxjerrë lejen përkatëse.