Inspektorë të Inspektoratit Të Mbrojtjes së territorit mëngjesin e sotëm kanë shkuar pranë ambienteve të “Prestige Resort” në plazhin e Golemit, për të shembur dy pishinat e ndërtuara pa leje.

Pak javë më parë IKMT i prishi edhe murin rrethues të hotelit “Prestige”, që bllokonte shëtitoren në Golem.

Ministria e Brendshme ndërkohë ka reaguar me një deklaratë, pas akuzave nga mediat e pronarit të “Prestige Resort”

Reagimi

Sot strukturat e Inspektoriatit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit kanë rifilluar operacionin “Bregdeti Ynë”, i cili është ndërprerë gjatë muajve qershor, korrik dhe gusht, për të rinisur në shtator.

Ky operacion ka synuar rivendosjen e ligjshmërisë në bregdet dhe deri tani ka prishur 434 objekte të paligjshme në vijën bregdetare.

Ndërhyrja e sotme për rikthimin e rreth 4 mijë metrave katrorë rërë e det të kthyera në beton, përpara një resorti ku një pjesë e zhvillimeve edhe në brendësi të zonës së pishave janë ndërtime të paligjshme për qëllime fitimi, është trajtuar nga mediat e zotit Irfan Hysenbelliu si sulm ndaj linjës editoriale të tyre.

Nuk është hera e parë që mediat News24, BalkanWeb dhe Panorama synojnë të mbulojnë problemet e pronarit të tyre me ligjin, duke marrë rolin e viktimës së lirisë së shtypit.

Edhe më keq se kaq, këto media e kanë bërë mesa duket rrugë përdorimin e shantazhit, shpifjes dhe denigrimit ndaj autoriteteve shtetërore, sa herë zoti Irfan Hysenbelliu ka rënë në rrjetën e kontrolleve ligjore.

Pre e kësaj mënyre të ulët të keqpërdorimit të mediave si imunitet ndaj ligjit të pronarit, kanë rënë kohët e fundit drejtori i tatimeve dhe më pas drejtori i doganave.

Ata u kthyen në shënjestra fushatash denigruese të News24, BalkanWeb dhe Panorama, sepse agjencitë e të ardhurave të shtetit konstatuan një evazion fiskal me përmasa shqetësuese në biznese të lidhura me zotin Irfan Hysenbelliu.

Sot këto media e kanë nisur ditën me shantazhe, shpifje dhe me denigrimin e drejtores së sapoemëruar të Inspektoriatit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit.

Ato kanë thënë se drejtori i këtij Inspektoriati paska dhënë dorëheqjen sepse ka kundërshtuar rifillimin e operacionit “Bregdeti Ynë” me pikërisht aksionin për çbetonizimin e plazhit dhe detit para resortit të zotit Irfan Hysenbelliu. Kjo është krejtësisht e pavërtetë.

Zoti Ajet Zyberi do të drejtojë operacionin e ri kombëtar të Task Forcës kundër lidhjeve të paligjshme të energjisë elektrike, i cili do të nisë javën e ardhshme pas shpalosjes së planit të qeverisë për të përballuar vjeshtë-dimrin në kushtet e krizës ndërkombëtare të energjisë.