Inteligjenca britanike njoftoi të hënën se Rusia urdhëroi tërheqjen e trupave nga Kharkivi, në drejtim të lumit Oskil, pas ofensivës së suksesshme ukrainase.

Inteligjenca bëri të ditur se që nga e mërkura, Ukraina ka marrë disa lokalitete, ndërsa rusët po luftojnë për t’u riorganizuar.

“Një urë lundruese e improvizuar e Rusisë, e nisur më shumë se dy javë, ka mbetur në gjysmë. Artileria ukrainase me rreze të gjata veprimi po godet aq shpesh në pikat e kalimit të Dnipros, sa Rusia nuk mund të kryejë riparime”, thuhet në njoftimin e Britanisë së Madhe.

Sukseset e Ukrainës në terren, kanë bërë që Rusia t’i ridizajnojë operacionet luftarake, e shumica e trupave “po detyrohet t’u japë përparësi veprimeve emergjente mbrojtëse”.

Të dielën, trupat ukrainase arritën në kufirin me Rusinë, në rrethin Dergachy, në rajonin e Kharkivit.

Ata u panë duke festuar me flamurin ukrainas, të mbledhur pranë një ndërtese gjysmë të shkatërruar.