Një gol i Brozovic 2 minuta para përfundimit të takimit, i ka dhuruar fitoren Interit në sfidën përballë Torinos. Zikaltërit vuajnë përballë “demave”, por mendon kroati që të shpërthejë festa në “San Siro” në minutat e fundit të takimit.
Pjesa e parë ka qenë e vakët me raste, madje Interi nuk ka bërë asnjë goditje në portë në këtë fraksion loje. Rastin më të mirë e ka patur Vlasic, por Handanovic ka pritur goditjen e tij me këmbë.
Pjesa e dytë hapet me një goditje të bukur me kokë të Sanabria, që më pas merr karton të kuq (për një goditje me bërryl ndaj Calhanoglu), që anulohet nga VAR.
Handanovic është vendimtar sërish duke pritur goditjen e dënimit të Ricardo Rodriguez. Interi mundohet të reagojë dhe i afrohet golit me Lautaron. Kur dukej se kjo sfidë do të përfundonte ashtu siç nisi (0-0) mendon Brozovic, që të zhbllokojë rezultatin dhe të kalojë në avantazh skuadrën e Inzaghit.
Një fitore me vlera për Interin, që lë pas krahëve momentin e vështirë që po kalonte dhe ngjitet në kuotën e 12 pikëve në tabelën e klasifikimit.