Nga Carlo Bollino
Prokurorët e SPAK-ut duket se synojnë të përshpejtojnë hetimet mbi privatizimin e ish-kompleksit Partizani, një aferë ndaj së cilës kryeministri Sali Berisha, i sapokthyer në pushtet në shtator të 2005, i dedikoi të gjithë energjitë e tij. Arsyeja e impenjimit të tij ishte se përfituese e procedurës së privatizimit do të ishte familja e të bijës. Në fakt, dhëndrri, Jamarbër Berisha, kishte trashëguar një përqindje të vogël të atyre tokave të përdorura nga qeveria fashiste për zgjerimin e aeroportit të Tiranës dhe që supozohet se u shpronësuan më pas nga regjimi komunist për të ndërtuar sipër kompleksin sportiv Partizani. Skandali qëndron në faktin se pikërisht falë këtij procesi privatizimi të ndërmarrë me urgjencë nga vjehrri sapo u riemërua kryeministër, dhëndrri u bë në mënyrë të mistershme pronar i rreth 40 % të 19 pallateve të ndërtuara mbi ato toka që vlejnë në treg disa dhjetëra milionë euro.
SPAK mori në pyetje dje dy nga ish-ministrat e Mbrojtjes që 17 vite më parë ndoqën procedurat e imponuara nga Sali Berisha për të ndihmuar dhëndrrin të bëhej miliarder. Pas Fatmir Mediut dhe Gazmend Oketës, do t’u takojë edhe shumë anëtarëve të tjerë të ish-qeverisë Berisha si Genc Ruli, Arben Imami për të kaluar deri te ushtarakë të lartë të ushtrisë që iu përshtatën urdhërave politikë duke i shërbyer operacionit. Të gjithë, përvec gjeneralit Vladimir Qirjazi, i cili për shkak të refuzimit të tij për të firmosur akte të jashtëligjshme, u ndëshkua nga Berisha me një transferim në një detyrë tjetër. Një dëshmitar i cmuar, i cili u mor në pyetje nga SPAK si person i informuar mbi faktet rreth një muaj më parë.
Por pavarësisht këtij impenjimi të dukshëm të SPAK-ut, një pyetje është e detyrueshme: A janë vërtetë serioze qëllimet e këtij hetimi? Marrja në pyetje e Fatmir Mediut apo Gazmend Oketës apo anëtarëve të tjerë të administratës Berisha, a mund të hedhin vërtetë dritë mbi skandalin? Ndonjë prej tyre do ta ketë kurajon të thyejë paktin e “omerta’” (gojës së mbyllur) që i lidh prej 30 vitesh me “Doktorin”? Dhe në fund, cfarë mund të zbulojë në të vërtetë ky hetim? Në rastin më të mirë do të zbulohet ajo që të gjithë e dinë, dmth që Sali Berisha bashkë me ta kreu shpërdorim detyre, krim që pas 17 viteve është i parashkruar. Dhe nëse “omerta’”-ja e ish-ministrave dhe e bashkëpunëtorëve do të mbetet solide si gjithnjë, hetimi nuk do të qartësojë as edhe këtë. Në fakt ka edhe një tjetër dyshim që (ndoshta) prokurorët po hetojnë: A kishte kompetenca ligjiore Ministria e Mbrojtjes për ta ndjekur dhe për të nënshkruar privatizimin e atyre tokave? Një ceshtje kyce pasi, nëse vertetohet që kompetenca ishte e një dikasteri tjetër (si për shembull ministria e Ekonomisë) atëherë edhe akti i privitazimit do të rezultojë null, dhe në këtë rast gjithë perandoria e ndërtuar nga Abi do të shkrihet si një kështjellë në rërë.
Por nëse SPAK dëshiron vërtetë të hedhë dritë mbi skandalin kryesor të ish-klubit Partizani, duhet të hetojë për një tjetër krim: Jo shpërdorim detyre, por pastrim parash. Një krim, afatet e parashkrimit të të cilit janë 20 vite (pra ende nuk është parashkruar) dhe që mund të tërheqë në cështje direkt gjithë familjen Berisha. Misteri i vërtetë që mbetet për të sqaruar nuk është se si Sali Berisha arriti të privatizojë atë kompleks sportiv duke shkelur mijëra procedura, por si arriti dhëndrri i tij, Jamarbër, të ndërtojë sipër 19 kulla me vlerën mbi 40 milionë euro, edhe pse kishte në bankë vetëm 30.000 dollarë. Historia se përfitoi nga pozita e tij si ish pronar tokash është një legjendë urbane: Jamarbër Malltezi dhe motra e tij janë trashëgimtarë të brezit të dytë të Xhemal dhe Mahmut Begeja dhe falë këtij pozicioni privatizuan vetëm një copëz të vogël të atyre tokave të ndarë me 24 pronarë të tjerë të lidhur me të njëjtin trung trashëgimtarësh, që nga ana e tyre janë vetëm një pjesë e totalit prej 54 ish-pronarësh të tokave ku u ngrit ish kompleksi Partizani, të prejardhur nga 5 familje të mëdha: Begeja, Llagami, Saljaga, Alimehmeti dhe Vaqarri.
Prova e privilegjit të dyshimtë që gëzoi Jamarbër Berisha qëndron në faktin se pavarësisht thërrimes së terrenit që i takonte, 40% e kullave u bënë pronë e tij (dhe në mënyrë indirekte të Argitës) dhe jo edhe të motrës Orinda Malltezi për shembull që trashëgoi të njëjtën sipërfaqe të tokës, dhe as të dhjetëra trashëgimtarëve të tjerë të 5 familjeve të cilëve i janë dhënë vetëm kuota të vogla pronësie, pikërisht në funksion të kuotave respektive të trashëguara. Kuota trashëgimie pjesërisht të zhvatura edhe më shumë nga Jamarbëri i cili duke ditur që kishte vjehrrin në krahun e tij, u imponoi shumë bashkëpronarëve të tjerë detyrimin e dhënies të 3 deri 5% të tokave të tyre në rast privatizimi. Por as kjo “grabitje” e mëtejshme nuk justifikon pasurinë e pamatë që Jamarbër dhe Argita Berisha arritën të marrin falë atij privatizimi.