Ish-Presidenti i Kosovës, Behgjet Pacolli, ka ftuar ish-presidentët e Shqipërisë dhe të Kosovës që t’i bashkohen në një vizitë ish-Kryeministrit Hashim Thaçi dhe ish-krerëve të UÇK-së që po mbahen si të akuzuar në Gjykatën Speciale në Hagë.
Kësaj ftese i janë përgjigjur pozitivisht ish-presidentët e Shqipërisë, Alfred Moisiu, Rexhep Meidani dhe Bamir Topi.
Po ashtu ka konfirmuar edhe ish-Kryeministri Pandeli Majko.
Ndryshe nga Shqipëria, dy ish-Presidentët e Kosovës Fatmir Sejdiu dhe Atifete Jahjaga nuk i janë përgjigjur pozitivisht ftesës.
Sipas këshilltarit të ish-Presidentit Pacolli, Jetlir Zyberaj, Sejdiu e ka refuzuar udhëtimin, ndërsa ish presidentja Jahjaga nuk ka kthyer as përgjigje.
Ja çfarë shkruan ndër të tjera në ftesën drejtuar ish-presidentëve të Shqipërisë dhe Kosovës, ish-Presidenti Behgjet Pacolli:
“Si hap i parë, ju ftoj që të gjithë ne, që kemi shërbyer si presidentë të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë, së bashku të realizojmë një vizitë në Hagë, për të vizituar ish-presidentin Hashim Thaçi, ish kryetarët e Kosovës, Jakup Krasniqi e Kadri Veseli dhe Rexhep Selimin, i cili ishte kryetar i Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, si dhe të paraburgosurit e tjerë që po mbahen në qendrën e paraburgimit në Hagë!