Italia rikthehet të bëjë të madhen, e bën diçka të tillë në një grup “ferri”, me përfaqësuese si Gjermania dhe Anglia, por në fund iu desh të thyente Hungarinë për të siguruar një biletë për në ‘Final Four’.
“Azurrët” e Roberto Mancini-t mposhtën në transfertë Hungarinë me rezultatin e pastër 0-2 duke u kualifikuar si e para në Grupin 3 në Ligën A. Raspadori dhe Dimarco realizuan nga një gol për çdo pjesë.
Për herë të dytë radhazi, Italia kualifikohet për në gjysmëfinalet e Ligës së Kombeve, ndeshje që do të zhvillohet në Holandë më 14 dhe 15 qershor ndërsa finalja më 18. Holanda, Italia, Kroacia dhe një ndërmjet Portugalisë dhe Spanjës marrin pjesë në Final Four.
Pavarësisht kualifikimin, Roberto Mancini nuk feston, kjo pasi zhgënjimi është ende i madh për faktin që nuk siguruan një biletë për në Botëror: “Ishte e rëndësishme të arrinim këtë objektiv për herë të dytë radhazi, por për fat të keq kemi ende shije të keqe”, u shpreh Mancini për Rai Sport.