Sondazhet kanë mbjelle shqetësim në gjirin e Bashkimit Europian. Ato tregojnë se epërsinë e ka një parti e krahut të djathtë, “Vëllezërit e Italisë”, e udhëhequr nga Giorgia Meloni. Politikania 45 vjecarja, që në të kaluarën ka lavdëruar fashizmin dhe diktatorin Benito Musolini, duket se ka shanse të kthehet në të parën kryeministre femër të vendit.
Në mbyllje të fushatës, lideri i Partisë Demokratike, Enrico Letta i drejtoi zgjedhësve një apel të fundit të mos lejojnë fitoren e ekstremit të djathtë. “Zgjedhjet tona ne i bëmë duke ditur se në anën tjetër ka një Itali në regres që ende nuk mendon se është e mundur t’u japim njerëzve lirinë për të përjetuar të drejtat ashtu siç bëjnë në pjesën tjetër të Europës sot. Zgjedhjet që ata kanë bërë, fjalët që përdorin janë të patolerueshme. Piazza del Popolo do të mbrojë Kushtetutën italiane të lindur nga Rezistenca dhe antifashizmi. Ne nuk do të lejojmë që kjo Kushtetutë, më e bukura në botë, të shtrembërohet nga kjo e Djathtë.”
Meloni, që distancohet tani nga deklaratat pro-fashizmit të bëra sic thotë, në moshën e adoleshencës, duket ka gjetur mbështetje për pikëpamjet e saj sociale konservatore, ndërsa flet për rritje pensionesh e përfitime të tjera sociale për njerëzit. Ajo duket ka përfituar dhe nga fakti që është parë si një figurë e re në politikën italiane, ndërsa partnerët e saj të mundshëm të koalicionit kanë qenë të pranishëm në skenën politike të vendit. Mes tyre është dhe ish-ministri i brendshëm populist Matteo Salvini, i cili është aktualisht po gjykohet nën akuzat për rrëmbim, për pengimin e zbarkimit të më shumë se 100 emigrantëve që u shpëtuan nga një anije humanitare në Itali në vitin 2019. Pjesë e koalicionit të djathtë pritet të jetë dhe politikani veteran, Silvio Berlusconi, i cili së shpejti mbush 86 vjeç.