Aleanca Sali Berisha-Ilir Meta është ironizuar nga ish deputeti Halit Valteri, i cili përmes një videoje kujton përplasjet në parlament dhe bashkimin për të sjellë opozitën e fortë në vend.

Në videon nga seanca parlamentare e vitit 2017, kur Berisha e Meta sulmonin njëri-tjetrin. Ishte Meta që i thoshte Berishës se i biri dhe Dritan Prifti ishin përfshirë në një aferë 500 milionë euroshe.

Ilir Meta: Për ty bëj çdo gjë, por jo për Zenin. Ty të ka akuzuar gjysma e partisë që ke nxjerrë në pritë Azem Hajdarin dhe ne nuk ta kemi kujtuar ndonjëherë.

Sali Berisha: Nuk e kalon dot me këto ti. Ti je koka e krimit këtu, por rri rehat. Për 700 mijë euro dhe dorëheqjen herën e parë.

Ilir Meta: Jo mo jo e dhashë prej Shkëlzenit unë dorëheqjen, se Shkëlzeni ishte në videot e Dritan Priftit, ti e di shumë mirë. Dhe me the shiko çfarë më ka bërë ky budallai. Vazhdo merr mendtë e Shkëlzenit, çfarë të të bëj unë ty.

Ndërkohë, tashmë kanë mbledhur forcat dhe së fundmi kanë pasur një takim të fshehtë për organizimin e protestave. Atë që Lulzim Basha tentoi me Monika Kryemadhin për të ashtëquajturën opozitë e Bashkuar, Sali Berisha tashmë që pretendon të ketë marrë drejtimin e Partisë Demokratike, kërkon ta vë në jetë me Ilir Metën, i cili hoqi kostumin e presidentit mori në dorë frenat e partisë që themeloi.

Berisha dhe Meta u panë pranë njëri-tjetrit edhe në protestën për tragedinë në Himarë ku u përplas për vdekje me gomone 7-vjecarja Jonada Avdia. Ata së bashku me mbëshetësit e tyre i kërkonin kryeministrit Edi Rama që të shkarkonte ministrin e Brendshëm Bledi Çuçi, ministren e Turizmit, Mirela Kumbaro dhe Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Gledis Nano. Sipas qytetarëve, ata ishin përgjegjësit kryesor për përplasjen për vdekje të 7-vjeçares nga gomonia e drejtuar nga Arjan Tase. Ndonëse protestat u zhvilluan në ditët e para të muajit gusht, rreth një muaj më vonë qeveria mori vendimin për lirimin nga detyra të Gledis Nanos nga posti i drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit.