Avokati Idajet Beqiri ka bërë me dije se ka prova të qarta që vërtetojnë se çifti Meta-Kryemadhi kanë shpenzuar 287 mijë € për ndërhyrje kirurgjikale duke thënë se e ka kopsitur dosjen, për pasojë i bën thirrje SPAK që të nisë menjëherë hetimet. Në një intervistë në Report Tv me gazetarin Arbër Hitaj, avokati ka dhënë më shumë detaje nga kallëzimi që ka bërë në SPAK për Monika Kryemadhin dhe Ilir Metën. “Ku i kanë marrë paratë, pse nuk i kanë deklaruar për këto ndërhyrje kirurgjikale, janë disa nga pyetjet që Beqiri ngre dhe thotë se SPAK duhet t’i japë një përgjigje.
“Nuk ka gjë që fshihet në këtë vend, duken që kanë bërë operacione, si ishin dhe si janë bërë, duhet të thonë burimet e të ardhurave marramendëse që i kanë bërë. Kam parë fatura me 287 mijë euro, është nisur nga banka e Qipros, ka shkuar në spital, kanë emër mbiemër, data 4 qershor të 2018, ka bërë ndërhyrje dhe Meta dhe fëmijët. Kjo shumë a ka të tjera apo është vetëm kjo, është futur Iliri dhe fëmijët apo jo. Ia kemi dhënë të gatshme SPAK.
Janë nënpunës të lartë të shteti dhe duhet t’i deklarojnë pasuritë e tyre, në 2011-2014 Meta nuk ka deklaruar paratë që ka bërë për problemet e oreksit, i ka bërë te mjeku më i mirë. Pastaj ku i gjete këto para, kemi pastrim të parash, me këtë e bëra që SPAK të mos ketë më gojë që të thotë nuk ka sjellin provat, është një dosje e qepur, t’i bëjë veprimet që i kemi thënë me fatura dhe adresa të qarta. I kemi dhënë me foto, fatura dhe pastaj të vazhdojnë me të tjera”, tha Beqiri.
Avokati ka bërë me dije se është në dijeni të 43 aferave korruptive që implikojnë Ilir Metën, 4 prej të cilave kanë shkuar në SPAK. Mirëpo, kjo nuk do të jetë e fundit. Në Report Tv, Beqiri ka bërë me dije se shumë shpejt do të ketë denoncime të tjera që janë “bombë”.
“Meta ka bërë shumë krime në vend dhe ka ardhur koha të japë llogari, nuk mbulohen më krimet e rënda, janë 43 afera koruptive që implikohet ai dhe Monika Kryemadhi, deri tani kanë shkuar në SPAK 4, bashkë me rastin tim. Do kemi edhe të tjera, do keni përsëri, do shikoni një tjetër bombë të vërtetë”, tha Beqiri.
Në ‘klanin’ e Metës, avokati ka përfshirë edhe Sali Berishën, që i ka cituar si “2 koka të mëdha të krimit”, por tha se “me të do të merret më vonë”, duke thënë se ka besim të plotë te sistemi i drejtësisë.