Ambasadori britanik në Tiranë, Alaistair King-Smith tha sot se politikanët e korruptuar dhe të inkriminuar duhet të japin llogari para ligjit dhe të përballen me pasojat.

Në një intervistë televizive, Smith theksoi se “është vërtet e rëndësishme që secili nga ne, në botën mbarë, të bëjë gjithçka mundet. Dhënia fund e pandëshkueshmërisë dhe forcimi i llogaridhënies nuk janë nevoja ekskluzive të Shqipërisë. Kjo mund të arrihet vetëm duke punuar së bashku dhe duke mbështetur njëri-tjetrin me vepra”.

“Pra, gjëja e parë është që në Shqipëri duhet të jepet llogari. Është shumë e rëndësishme që ligji të sundojë. Institucionet që luftojnë krimin dhe korrupsionin janë të rëndësishme dhe duhet të jenë efektive. Ne duhet t’i mbështesim ato. Por ne ndërmarrim veprime edhe nga ana jonë në mënyrë që dikush që është i përfshirë në krim dhe korrupsion dhe që dënohet këtu, në mënyrë të veçantë në raste të tilla, ata nuk do të jenë të mirëpritur në Mbretërinë e Bashkuar dhe as të ruajnë paratë në Mbretërinë e Bashkuar”, nënvizoi Smith duke shtuar se në raste të tilla do të ndërmarrin veprime të pavarura.

Ambasadori Smith u shpreh se “tani siç e dini, Sër Stuart Peach, i dërguari i posaçëm i kryeministrit tonë për Ballkanin Perëndimor, shpalli valën e parë të veprimeve që kemi ndërmarrë. Do të vazhdojmë kështu sepse është vërtet e rëndësishme. Kjo është diçka që duhet të kthehet në rutinë, në mënyrë që njerëzit që kryejnë veprime të paligjshme dhe që nxisin krimin dhe korrupsionin të përballen me pasoja”.

I pyetur nëse do të bashkëpunojnë me këta persona në rast se vijnë në pushtet, Smith tha se “është e vështirë, apo jo? Sepse, ju e dini, se neve nuk na pëlqen të ndërpresim kontaktet me askënd, por ka një kufi. Nëse dikush ngulmon dhe përsërit veprimet e tij që nxisin krimin dhe korrupsionin, atëherë kemi të bëjmë me një problem të vërtetë, sepse kjo futet në sistem, duke vështirësuar ndërveprimin e mëtejshëm. Ne ndjekim një qasje të ekuilibruar. Nuk shënjestrojmë asnjë individ, asnjë parti politike. Gjithmonë do të kemi një qasje të ekuilibruar. Kjo bazohet në interesat e popullit britanik dhe ne shpresojmë edhe në interesat e popullit shqiptar. Kështu që do të bëjmë çmos për ta ruajtur këtë qasje ndaj problemeve, çka është realisht në interes të popullit të Shqipërisë dhe të Mbretërisë së Bashkuar”.

Sa i përket zgjedhjeve të ardhshme lokale, Smith tha se “njerëzit duhet të kërkojnë që t’i jepet fund krimit dhe korrupsionit. Duhet të kërkojnë që kandidatët e paraqitur në zgjedhje të mos kenë të bëjnë me krimin dhe korrupsionin. Ndërsa partitë politike, sigurisht duhet të marrin masa, dhe kjo është edhe thirrja që ne u drejtojmë atyre, që kur të përzgjedhin kandidatët, të mos kandidojnë ata që janë të përshirë në krim dhe korrupsion, por t’i paraqesin elektoratit individë të pastër”.