Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka insistuar që shtetet e Ballkanit Perëndimor, por edhe Ukraina, Gjeorgjia dhe Moldavia, duhet të bëhen pjesë e familjes evropiane, sepse siç tha ajo, pa këto shtete, “unioni ynë nuk do të jetë i kompletuar”.

Von der Leyen më 14 shtator mbajti fjalimin vjetor në Parlamentin Evropian.

Gjatë këtij fjalimi, shefja e KE-së tha se mënyra më e shpejtë për të zgjeruar sundimin e demokracinë është duke forcuar lidhjet me shtetet demokratike në kontinentin evropian.

“Kjo fillon me ato shtete që tashmë janë në rrugë drejt unionit tonë. Ne duhet të jemi në anën e tyre në secilin hap të kësaj rrugë. Sepse rruga drejt demokracisë së fuqishme dhe rruga drejt Bashkimit Evropian është e njëjtë. Prandaj dua që njerëzit në Ballkanin Perëndimor, në Ukrainë, Moldavi dhe Gjeorgji ta dinë: Ju jeni pjesë e familjes sonë, e ardhmja e juaj është në union, dhe unioni ynë nuk është i kompletuar pa ju”, tha Von der Leyen.

Shefja e Komisionit Evropian përmendi Ballkanin në disa pjesë të fjalimit të saj, kur foli për nevojën që të rishqyrtohet politika e jashtme e BE-së.

“Tash është koha për të investuar në forcën e demokracisë. Kjo punë fillon me grupin bazë të partnerëve që mendojnë si ne, me miqtë tanë në secilin komb demokratik në botë. Ne e shohim botën me të njëjtin sy. Dhe ne duhet të mobilizojmë fuqinë tonë kolektive”, tha ajo.

Mbështetje për idenë e Bashkësisë Politike Evropiane

Duke folur për rrugën e anëtarësimit në BE, presidentja e KE-së mbështeti idenë për formimin e një Bashkësie Politike Evropiane, duke shtuar se propozimet për këtë temë do të paraqiten gjatë samitit të bllokut Evropian.

Samiti i BE-së pritet të zhvillohet në tetor në Pragë, ku do të marrin pjesë liderët e shteteve të Ballkanit Perëndimor, por edhe liderët e vendeve evropiane që nuk janë në BE-së sikurse Britania e madhe, Norvegjia dhe vendet tjera.

Idenë për krijimin e një Bashkësie Politike Evropiane e kishte përmendur së pari presidenti i Francës, Emmanuel Macron, gjatë kryesimit të vendit të tij me Presidencën e BE-së. Idenë e presidentit francez e kishte mbështetur edhe presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel.

Von der Leyen tha se krijimi i kësaj bashkësie nuk do të kishte “për qëllim që ta zëvendësojë procesin e zgjerimit të BE-së.

Putin “do të dështojë, Ukraina do të triumfojë”

Pjesa më e madhe e fjalimit të Von der Leyen iu kushtuar pushtimit të paprovokuar rus të Ukrainës dhe pasoja që ka shkaktuar kjo luftë, jo vetëm për Ukrainën, por edhe botën, përfshirë edhe rritjen e madhe të çmimit të naftës së gazit.

E veshur me rroba me ngjyra të flamurit të Ukrainës, Von der Leyen tha se BE-ja veçse ka zvogëluar dukshëm varësinë me furnizime të energjisë ruse.

Ajo rikujtoi se vitin e kaluar, BE-ja merrte 40 për qind të gazit nga Rusia, ndërkaq sivjet kjo përqindje ka rënë në 9 për qind.

Mysafire e veçantë gjatë fjalimit të Von der Leyen në Parlamentin Evropian ishte bashkëshortja e presidentit të Ukrainës.

Duke folur për sanksionet ndaj Rusisë ajo tha se ato po japin rezultat dhe ato “janë aty për të mbetur”.

“Putin do të dështojë, Ukraina dhe Evropa do të triumfojnë”, tha ajo.

Shefja e Komisionit Evropian po ashtu ka prezantuar disa masa për të ulur konsumin e energjisë gjatë dimrit, teksa e akuzoi Rusinë se po manipulon me tregun e energjisë, duke djegur gaz dhe duke rritur çmimet e energjisë në tregjet botërore./REL/