Për llogari të Ligës së Kombeve kombëtarja shqiptare do zhvillojë dy ndeshjet e fundit nga katër gjithsej kundër Izrealit dhe Islandës, konkretisht më 24 dhe 27 shtator. Trajneri Reja prej disa ditësh dihet që duhet ti bëjë llogaritë pa mbrojtësit Berat Gjimshit, Marash Kumbulla dhe Kastriot Dermaku, por edhe pas shpalljes së listës me të grumbulluarit ka patur të tjera dëmtime.
“Nuk janë dy ndeshje të rëndësishme, por janë vendimtare. Mungojnë lojtar thelbësor, por ne do ti bëjmë llogaritë me atë ekip që kemi në dispozicion. Çekiçi dhe Bare do vijnë në grumbullim pavarësisht dëmtimeve, por do shohim nëse janë të disponueshëm. S’dua të ankohem, por në ndeshje vendimtare po rastis te kemi shumë të dëmtuar,”-u shpreh Edy Reja, trajner i kombëtares.
Ndeshjen e parë kombëtarja do e luajë përballë Izrealit më 24 shtator në transfertë, një kundërshtar që në ‘Air Albania’ na mposhti me rezultatin 1-2.
Izreali është një skuadër e shpejtë dhe e aftë teknikisht, por nuk do të bëjmë gabimet e ndeshjes së parë. Mund të them se kombëtares kurrë nuk i ka munguar harmonia dhe se jemi ende në garë për vendin e parë,”-deklaroi Edy Reja, trajner i kombëtares.
Pas dy ndeshjeve Shqipëria renditet e treta në grup me 1 pikë dhe në rast se kërkon kreun duhet me patjetër fitorja në Izrael, ndërsa më pas mund të bëhen llogaritë me Islandën.