Në datë 15 shtator që përkon me ditën ndërkombëtare të demokracisë, në Maqedoninë e Veriut u mbajt “Ministeriali i Ballkanit Perëndimor mbi Reformat në Administratën Publike”.
Në këtë takim u ndanë edhe disa çmime për performancën e institucioneve publike për disa nga vendet e rajonit, përfshirë dhe Shqipërinë. Nga Shqipëria, Komisioni i Prokurimit Publik (KPP) u vlerësua me çmimin “Njohje speciale për besimin në administratën publike për sistemin e E-Ankesave”. E pranishme në këtë konferencë ishte edhe Ministrja e Shtetit për Standardet dhe Shërbimet, Milva Ekonomi e cila e vuri theksin tek reformat e ndërmarra nga ana e qeverisë në fushën e dixhitalizimit të shërbimeve.
Ndërkaq, kryetari i këtij institucioni, z. Jonaid Myzyri në emër të Komisionit të Prokurimit Publik falenderoi RESPA dhe SIGMA-OECD për mundësinë e ofruar për t’u mbledhur dhe për të promovuar praktikat më të mira në Ballkanin Perëndimor.
‘Ky ҫmim shkon jo vetëm për ekipin tonë të palodhur, por edhe për ekspertët e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, me të cilët kemi bashkëpunuar ngushtë në çdo hallkë të implementimit të sistemit elektronik.”, tha Myzyri.
“Kjo do të thotë shumë për ne, është një inkurajim për të ecur më tej në rrugën e reformave, të cilat nuk janë të lehta për tu përmbushur, është më se e nevojshme të jemi bashkë dhe të hapur, të ndajmë praktika dhe të mësojmë nga njëri – tjetri sepse nuk ndajmë vetëm të njëjtat sfida, por ndajmë të njëjtin synim, integrimin në BE, – theksoi kryetari Myzyri.
Kryetari i Komisionit të Prokurimit Publik shoqërohej nga Sekretarja e Përgjithshme e institucionit, znj. Irma Droboniku dhe Specialisti i IT, z. Ndue Lleshaj.
Sipas RESPA- s kjo iniciativë demostron një dedikim të qartë për të përmirësuar funksionimin e administratës publike, në vazhdimësi dhe në mënyrë më efektive. Kemi numëruar disa rezultate të prekshme, uljen e numrit të ankesave, kostot përkatëse të vlerësuara, rritje të kualitetit, ankesat të në fazën fillestare të cilat kanë pësuar rënie. Në këto kushte, proçesi është totalisht i digjitalizuar, i lehtë, i aksesueshëm, transparent, përgjatë gjithë fazave të tij. Është një rast i shkëlqyer që rrit besimin në një fushë të veçantë qeveritare siç është prokurimi publik.
Komisioni i Prokurimit Publik në muajit tetor 2021 ka prezantuar sistemin e parë Elektronik të Ankesave në Shqipëri ku të gjitha ankesat për procedurat e Prokurimit Publik, Prokurimit Publik për Rindërtim, Koncesioneve dhe Partneritetit Publik Privat, Ankandeve Publike dhe Garave Konkurruese për Leje Minerare, do të dorëzohen në formë elektronike përmes platformës unike qeveritare E-Albania.
Përmes këtij sistemi, në datën 26 nëntor 2021, është kryer edhe aplikimi i ankesës së parë elektronike në sistemin e ri.