Ministrja e Arsimit, Evis Kushi ka folur në Kongresin e Arsimit duke thënë se sfida është rritja e cilësisë së arsimit në standardet e BE.
“Kongresi i Arsimit përkon dhe me fillimin e vitit të ri shkollor dhe dua ta nis me urim për nxënësit e mësuesit për një vit shkollor të mbarë e të suksesshëm. Arsimi përveç se një e drejtë themelore, është edhe faktori kryesor për zhvillimin ekonomik dhe shoqëror të çdo kombi.
Nuk ka asnjë dyshim që për arsimin duhet solidaritet i madh kombëtar. Në kohë sfidash e transformimesh, arsimi duhet të jetë në krye të çdo axhende. Edhe qëllimi i Kongresit është të bëjë bashkë shumë aktorë, përfshirë parauniversitar, të lartë, kërkimin shkencor, pedagogë, mësues e studiues për të nxitur bashkëpunimin për sfidat e të ardhmes për një arsim cilësor drejt BE.
Një pjesë e të rinjve largohen nga rajoni për studime, veçanërisht për mjekët dhe infermierët. Për t’iu përgjigjur kësaj tendence ne kemi bërë ndërkombëtarizimin e universiteteve por edhe struktura europiane ekselence. Qëllimi ynë është të rrisim cilësinë. Një politikë tjetër është përcaktimi i programeve të studimit prioritet kombëtar.
A mjaftojnë këto politika? Të gjithë biem dakord që politikat dhe reformat, sa më të mëdha e të thella të jenë, aq më shumë kohë kërkojnë se rezultatet nuk janë të menjëhershme. Kemi përgatitur disa programe: për programe të përbashkëta të dyfishta me universitete europiane, si dhe qendra kërkimore, me qëllim për t’i dhënë vlerë diplomave tona. Politikë tjetër: bursat e studimit për progamet prioritare, me kushtin që studentët pas studimeve të qëndrojnë në vendin tonë.
Besoj që në panelet e kongresit, kjo temë do të ketë diskutim të gjerë”, tha Kushi.