Pezullohen nga detyra dy doganierë në Pogradec dhe dy efektivë të Qafë-Thanës pasi akuzohen për kontrabandë dhe korrupsion. Drejtoria Rajonale e AMP Korçë ka ekzekutuar vendimin penal dhënë nga Gjykata e Shkallës së Parë Pogradec për caktimin e masës së sigurimit personal me karakter ndalues “Pezullim i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” në ngarkim të:
– Inspektor A. H., 43 vjeç, me detyrë trupë shërbimi në Drejtorinë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Korçë, stacionuar në Pikën e Kalimit Kufitar Qafë Thanë, i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Kontrabanda me mallra për të cilat paguhet akcizë, ose me pezullim të plotë/të pjesshëm, nga detyrimet doganore apo të akcizës”, “Kontrabanda me mallra të tjera”, dhe “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.
– Inspektor F. M., 38 vjeç, me detyrë trupë shërbimi në Drejtorinë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Korçë, stacionuar në Pikën e Kalimit Kufitar Qafë Thanë, i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Kontrabanda me mallra për të cilat paguhet akcizë, ose me pezullim të plotë/të pjesshëm, nga detyrimet doganore apo të akcizës”, “Kontrabanda me mallra të tjera”.
– Shtetasit nën hetim V. B., 53 vjeç, me detyrë doganier fizik në Degën e Doganës Pogradec, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Kontrabanda nga punonjës që lidhen me veprimtarinë doganore”.
– Shtetasit nën hetim J. P., 45 vjeç, me detyrë doganier i peshores në Degën e Doganës Pogradec, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Kontrabanda nga punonjës që lidhen me veprimtarinë doganore”.
Këta shtetas janë pezulluar në kuadër të procedimit penal nr.206, viti 2022, të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Pogradec, i referuar dhe ndjekur nga AMP Korçë nën drejtimin e kësaj Prokurorie gjatë operacionit “Dinarët” në kuadër të punës kundër kontrabandës dhe veprimeve abuzive në pikat kufitare, ku me herët në lidhje me këtë procedim janë arrestuar në flagrancë 7 shtetas, ndër ta edhe punonjësit e mësipërm. Materialet i kaluan për veprime të mëtejshme Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Pogradec.