Kreu i SPAK, Arben Kraja në një intervistë për RTSH-në, është shprehur se po hetohet ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha lidhur me privatizimin e ish-kompleksit Partizani, si edhe për dosjen ‘Gërdeci’.
“Diskutohet çështja e Gërdecit, që po hetohet, është publike dhe diskutohet çështja e privatizimit të kompleksit “Partizani”, që janë përfshirë familjarë të tij. Çështjet janë në hetim dhe unë nuk mund të them asgjë më shumë”, deklaroi ai.
Ai është ndalur të flasë edhe për kritikat e shumta që ka pasur Kryeministri Edi Rama. Kreu i SPAK thotë se ka zgjedhur që të mos i komentojë këto deklarata politike, duke thënë se i jep të drejtë çdokujt që kritikon për të përmirësuar punën e institucionit që ai drejton.
“Nuk dua të merrem me deklarata politike. Ne bëjmë punën tonë, vlerësojmë provat. Dikush na shan, dikush na lëvdon, kjo është çështje e tyre, bëjnë komentet e tyre. Unë i jap të drejtë kujtdo që kritikon SPAK me idenë e mirë për të punuar më mirë, kushdo të jetë, kryeministër apo qytetar i zakonshëm”, tha ai.
Nga ana tjetër, Kraja është shprehur me bindje se nga SPAK nuk ka pasur asnjë rrjedhje informacioni, sa i përket operacionit ‘Plumbi i Artë’. Referuar deklaratave të ish-drejtorit të Policisë Gledis Nano, për dekonspirim, ai tha se “diçka nuk ka shkuar mirë”, por jo për faj të SPAK.
“Masa nuk u realizuan të gjitha për t’u kapur. Diçka nuk ka shkuar mirë. Forcat e policisë nuk kanë arritur t’i gjejnë një pjesë të tyre. Nuk ka pasur asnjë rrjedhje nga SPAK. Jam shumë i sigurt për këtë. Nga pikëpamja e zbatimit të ligjit ka një problematikë. Por nga pikëpamja e procesit. Për ne nuk ka asnjë problem. Çështja vazhdon”, tha ai.