Kryeministri Edi Rama me anë të një videomesazhi në rrjetet sociale njoftoi qytetarët se sulmi kibernetik ndaj vendit tonë është organizuar nga Republika Islamike e Iranit dhe se Këshilli i Ministrave ka vendosur ndërprerjen e marrëdhënieve diplomatike me Republikën Islamike te Iranit dhe largimin e trupës diplomatike nga shteti shqiptar.

Nga bashkëpunimi me agjenci të specializuara partnere të antiterrorit digjital u zbulua se sulmi i 15 korrikut mbi Shqipërinë nuk ishte një operacion individësh apo grupesh të pavarura në botën e krimit të organizuar kibernetik, por një agresion shtetëror.

Kryeministri deklaroi se: “ Në 15 korrikun e shkuar vendi ynë u bë objekt i një sulmi të rëndë kibernetik, i cili kishte si objektiv shkatërrimin e infrastrukturës digjitale të qeverisë, paralizimin e shërbimeve publike, si edhe grabitjen e të dhënave dhe të komunikimeve elektronike nga sistemet qeveritare. Sulmi nuk ia arriti qëllimit. Krahasimisht me objektivat e agresorit, dëmet mund të konsiderohen të vogla. Sistemet u rivunë të gjitha në punë dhe asgjë nuk u zhduk pa kthim.”

“Hetimi i thelluar na vuri në dispozicion prova të pakundërshtueshme, se agresioni kibernetik ndaj vendit tonë është orkestruar dhe sponsorizuar nga Republika Islamike e Iranit, e cila ka angazhuar katër grupe për sulmin ndaj Shqipërisë. Ndër to edhe një ndër grupet më famëkeqe të terrorizmit kibernetik ndërkombëtar, autor apo bashkautor i sulmeve të mëparshme kibernetike mbi Izraelin, Arabinë Saudite, Jordaninë, Emiratet e Bashkuara, Kuvajtin dhe Qipron.
Nisur nga sa më lart, Këshilli i Ministrave ka vendosur me efekt te menjëhershëm ndërprerjen e marrëdhënieve diplomatike me Republikën Islamike te Iranit. Ky vendim i është bërë i ditur me notë zyrtare Ambasadës se Republikës Islamike të Iranit, të cilës i është kërkuar largimi brenda 24 orëve nga territori i Republikës së Shqipërisë i të gjithë personelit diplomatik dhe tekniko-administrativ, përfshirë edhe personelin e sigurisë. ” u shpreh Kryeministri.

Në fund të fjalës së tij Rama tha se: “Dështimi i këtij sulmi masiv mbi vendin tonë, falë rezistencës së sistemeve që kemi ngritur dhe ndihmës së grupeve speciale që na u bashkuan në këtë luftë, nuk është fundi i kërcënimit kibernetik, po thjesht prova se tanimë edhe Shqipëria ka hyrë falë zhvillimit digjital në hartën e gjerë të luftës për sigurinë kibernetike. Por lajmi i mirë është se ne e dimë se çfarë duhet të bëjmë e si duhet ta bëjmë për të mos na prekur dot askush, ashtu siç dimë edhe se do t’i bëjmë siç duhet gjërat e duhura, sepse kemi partnerët e duhur.”