Në një letër të publikuar në rrjetet sociale, futbollisti legjendë i Francës dhe i skuadrës angleze të Manchester United, Eric Cantona ka thënë se nuk do të shohë asnjë ndeshje nga Kupa e Botës në Katar 2022, duke e dënuar si një event “pervers” të “motivuar vetëm nga paratë”.
“Nuk do të shikoj asnjë ndeshje nga kjo kupë bote”, thuhej në mesazhin e ish-futbollistit, të njohur për temperamentin e zjarrtë dhe mungesën e retorikes diplomatike.
“Po, sepse Katari nuk është një vend futbolli, nuk e ka shijen apo frymën e futbollit!”, shpjegonte Eric Cantona duke njoftuar bojkotin e tij
Më tej gjuha e tij ashpërsohej edhe më shumë: “Është njër perversitet ekologjik me gjithë ato stadiume me ajër të kondicionuar, një çmenduri … por mbi të gjitha është një gabim njerëzor, me gjithë ato vdekje për të ndërtuar këto stadiume, vetëm për të krijuar një skenë zbavitjeje … dhe askush nuk e vret mendjen … kjo është një karikaturë e njeriu të aftë për ta mbajtur veten mes llumit më të keq! “Eric Cantona shtonte se “kuptimi i vetëm i këtij eventi, siç e dimë të gjithë, është paraja”.
“E di që ata nuk duan t’ia dinë dhe se një person i vogël si unë nuk do të ndryshojë fytyrën e botës”, shkruante 56 vjeçari që pas karrierës sportive e ka konvertuar në aktrim.
“Ata thonë se nuk do të transmetojnë apo nuk do të reklamojnë, por nganjëherë në jetë duhen marrë vendime të vështira. Që kur kam qenë i vogël ishte një kampionat që mezi e prisja dhe e shikoja me pasion”, shtonte ish-mesfushori i skuadrave Auxerre, O. Marseille dhe Manchester United.Cantona tha se çështja kishte arritur deri aty sa nuk do të mbështeste as Francën. “Nëse Franca fiton apo humbet, në jetë ka gjëra më të rëndësishme se futbolli.”
Ai quante më tej Kupën e Botës në Katar një “farsë e madhe”.
“Ata që fitojnë paratë vetëm fshihen e thonë ‘nuk është përgjegjësia jonë, nuk mund të bëjmë asgjë’. Shtetet federatat, transmetuesit, reklamuesit etj. duhet të marrin një vendim të thjeshtë.”