“Rusia ka financuar parti politike në dhjetra vende; mes tyre përmenden 500 mijë dollarë që i janë dhënë Partisë Demokratike në Shqipëri në 2017”, është titulli i artikullit të Zërit të Amerikës më datë 14 shtator, një lajm që risolli në vëmëndje një ndër akuzat më të rënda me të cilat është përballur ish-kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha.
Zëri i Amerikës citon një zyrtar të lartë amerikan:
“Rusia ka dhënë fshehurazi mbi 300 milionë dollarë për parti politike dhe kandidatë në dhjetëra vende, që nga viti 2014 dhe Presidenti Putin është angazhuar në financim të fshehtë politik në mbarë botën. “Zëri I Amerikës citon gjithashtu se “Sipas zyrtarit që foli me median, ky është përfundimi në të cilin arrin një raport i komunitetit amerikan të zbulimit i cili ka analizuar financimet e Rusisë “në mbi 24 vende gjatë viteve të fundit në një përpjekje për të manipuluar demokracitë nga brenda”. Sipas një burimi me njohuri mbi raportin amerikan të zbulimit, Shqipëria është një nga këto vende.
“Në Shqipëri, Rusia i dha rreth gjysmë milioni dollarë Partisë Demokratike në 2017 përmes kompanive fantazëm”, tha burimi i qeverisë amerikane. Burimi nuk dha hollësi të mëtejshme për rastin e Shqipërisë. Por viti 2017, emri i Partisë Demokratike dhe shifra e përmendur prej 500 mijë dollarësh përkojnë me hetimet që janë hapur në Shqipëri në atë kohë ndaj PD-së bazuar në deklarimet që firma lobuese amerikane ‘Muzin Capitol Partners’ ka raportuar se ka marrë nga PD-ja.”.
Lajmi për shumat e lartpërmëndura për lobim rus përllogari të Partisë Demokratike, u publikua për herë të parë nga revista Mather Xhons në vitin 2018. Në atë kohë, mazhoranca socialiste e shfrytëzoi maksimalisht artikullin e Mather Xhons për të akuzuar liderin e opozitës së kohës Lulzim basha për lidhje të supozuara me Kremlinin.
Taulant Balla deklaratë nga selia e PS në 7 mars 2018:
“Hipoteza e parë që paratë për lobimin e PD në Uashington nuk janë paguar nga vetë PD por janë paguar nga Moska. Hipoteza e dytë po aq skandaloze është që paratë janë paguar nga PD por që janë përdorur nga biznesmenët rus për të fshehur prejardhjen e tyre. Provat tregojnë se PD është një aleatë besnike e Kremlinit në vendin tonë. Me të gjitha këto Lulzim Bashës i bëj thirrje të dalë e të japë llogari para shqiptarëve”.
Brenda pak kohësh, nisi hetimi për akuzën dhe pas rreth dy vitesh drejtësia shqiptare e mbylli procesin pa fajtorë.
Rikthimi i kësaj çështje përmes lajmit të publikuar tek Zëri i Amerikës dhe media të tjera ndërkombëtare, ka shkaktuar një debat të nxehtë në Shqipëri. Reagimi i parë për lajmin e “Zërit të Amerikës”, erdhi nga Partia Demokratike e Sali Berishës.
PD kërkon rihapjen e menjëhershme të çështjes në fjalë, të mbyllur me ndërhyrjen e Edi Ramës dhe gjyqtarët e korruptuar, i cili më parë kishte denoncuar vetë financimin e Lulzim Bashës nga rusët, por tani i duhet të shpëtonte pengun e tij të dobishëm për të shkatërruar Partinë Demokratike, deklaroi Floriana Garo nga selia e PD.
Mbështetësit e Berishës u shpërndanë nëpër studio televizive në debatet e darkës, për të konfirmuar këtë lajm që vinte nga burime nga Departamenti amerikan i drejtësisë. Arben Ristani ishte një prej tyre, i cili kishte qënë edhe pjesë e debatit të parë për lobimin rus, madje i akuzuar nga PS.
Ky është një veprim personal i zotit Basha, nuk ka kaluar nga institucionet e partisë, këto lekë nuk janë të kaluara nga arka e PD, nuk janë shqyrtuar ndonjëherë ashtu sic e përcakton statusi i partisë, as kanë hyrë dhe as kanë dalë nga PD-ja, u shpreh Arben Ristani.
Ky zell i demokratëve të foltores është i ngjashmë me atë të Taulant Ballës në vitin 2018, kur e akuzonte liderin e demokratëve të asaj kohe, Lulzim basha për lobim me para ruse.
Taulant Balla nga parlamenti në 15 mars 2018:
Ti Lulzim Basha duhet të dalësh këtu dhe të sqarosh shqiptarët se ku i ke gjetur një milionë dollarë të përdorur nga PD për të paguar artikuj që nxinë shqipërinë dhe tërhequr vëmendjen e administratës amerikanë në përpjekje për ta kthyer në një gogol qeverinë socialiste.
Në atë kohë, ishin pikërisht këta demokratë, drejtues të niveleve të ndryshme që e kundërshtonin me forcë akuzën e socilaistëve për PD-në dhe Lulzim bashën. Askush prej tyre nuk foli më me siguri e bindje se sa Sali Berisha.
Lulzim Basha dhe PD kurrë në jetën e tij nuk kanë pasur ansjë takim me rusë, nuk kanë marrë një qindarkë nga rusët, nuk kanë firmosur një kontratë me rusët, deklaroi Berisha nga një studio televizive në 18 qershor 2019.
Të gjithë ishin angazhuar në mbrojtje të Lulzim bashës. Në krah të tij shfaqeshin drejtues demokratë që sot i ka përballë në të njëjtën linjë me Taulant Ballën që akuzon Bashën se përfitoi nga paratë e kremlinit apo të oligarkëve rusë.
Është një shashkë e bazuar në mashtrime e cila nuk mund të largojë vëmendjen nga skandalet e jashtëzakonshme të kësaj qeverie, as nga një skandal i madh i cili ëshë vënë në vëmendjen e opozitës nga burime të partnerëve dhe i cili po studiohet nga ekspertët tanë të sigurisë dhe të ligjeve, është shprehur Basha në atë kohë.
Në dhjetra orë debate në paralment për akuzën për lobim me para ruse përllogari të Lulzim bashës dhe PD-së, spikat përballja e kreut të opozitës së kohës me kryeministrin Rama.
Kryeministri Rama-Bashës nga Kuvendi:
Unë nuk i kam hapur as vendit tim, as partisë sime një gropë si kjo që i ke hapur partisë tënde, e cila për hir të së vërtetës sic mendon edhe vetë saliu nuk ka lidhje me atë historinë e xhepave të errët të oligarkëve rus.
Basha nga Kuvendi duke debatuar me Ramën:
Hajde hetojmë për oligarkët rus, unë jam i hapur të bëjmë një hetim parlamentar që ta cojmë pastaj në prokurori dhe gjej ti një kontakt të PD me oligarkët rus.
Rama-Bashës nga Kuvendi:
Fatin tënd e ke shkruar vet pa u konsultuar as me partinë tënde e lerë më me mua, se pot ë ishe konsultuar me mua do të thoja mos merr para nga rusët se zgjedhjet do ti humbësh.
Sërish Basha ju përgjigj Ramës:
Sa për çështjen e ABI Bank dhe influencës ruse tek ABI Bank dhe aferën e kërcënimit të investitorëve shqiptaro-amerikanë nga killera shqiptarë të porozitura nga një anëtar i kabinetit për esap të Jure Meksit, këtu jemi do i shkojmë deri në fund nëse prokurorisë nuk i mungon vullneti.
Nëpër arkivat e këtij debati, shfaqet edhe Pandeli Majko, i cili ndoshta cilësonte të tepruar akuzën e partisë së tij ndaj Bashës apo PD-së për lobim me para ruse.
Edhe ne ndonjëherë e teprojmë me këtë ndihmën e sponsorizimeve ruse. Ne si parti e vjetër nga viti ‘49 deri në ’61 e kemi pasur një afeksion, po e ka pasur për ideologji jo për para. Na duket shumë interesant mënyra juaj që merni para ruse për të lobuar në amerikë. Mirë është të konsultoheni me ne, se ne kemi eksperiencë në këtë punë. E mbyllëm këtë punë në ’60-ën, kam frikë se në rastin tuaj do ta mbyllni me një këngë të tipit lule ti lule unë dil pak jashtë se kam pak punë, deklaroi Pandeli Majko në 15 mars të vitit 2018 nga Kuvendi.
Shumë ngjarje kanë ndodhur prej asaj kohe. Në një situatë të tensionuar politike ndërmjet mazhorancës dhe opozitës, PD dhe aleatët e saj, dogjën mandatet e deputetit duke braktisur parlamentin, bnë vitin 2019. Menjëherë pas këtij vendimi drastik, opozita bojkotoi edhe zgjedhjet vendore të atij viti. Opozita humbi zgjehdjet parlamentare të vitit 2021. Menjëherë pas kësaj humbje, lideri historik i PD-së, Sali Berisha u shpall nongrata nga SHBA. Lulzim Basha e përjashtoi Berishën nga grupi parlamentar demokrat, pasi u shpall nongrata. Ky vendim solli reagimin e Berishës i cili e detyroi Bashën të dorëhiqet për tu kthyer vetë në selinë e PD-së. Në këtë situatë të re nis të ndryshojë edhe perceptimi apo qëndrimi i Berishës dhe njerëzve të tij për akuzën ndaj Lulzim Bashës për lobim me para ruse.
Përgjegjësia nuk është e PD por është individuale e Bashës, partia dhe strukturat e partisë nuk kanë një përgjegjësi. Basha është mbajtur peng me këtë dosje dhe ai duhet të japë urgjentisht përgjigje për origjinën e parave që kanë kaluar nga Biniata tek Nick Muzin, u shpreh Berisha për akuzat ndaj Bashës për lubim me para ruse.
Në këtë valë debatesh të brendshme në PD, kryeministri Rama në rolin më komod që ndoshta as e kishte menduar se do ta kishte ndonjëherë, këshillonte demokratët për të ardhmen e zymtë që i priste në marrëdhëniet mes tyre.
Rama: Ka një fjalë që thotë mos i bëj tjetrit atë që nuk do që tjetri të ta bëjë ty dhe sot ju po e provoni në lëkurë dhe është vetëm fillimi, tani do hyni në një fazë ku do ja digjni lëkurën njëri-tjetrit me bishtat e një cigareje që e keni pirë bashkë.
Dosja muzin nisi të përmëndej shpesh e më shpesh deri sa më 14 shtator u rikthye sërish lajmi tek Zëri i Amerikës për lobimin e Bashës në SHBA me para ruse. Deputetë të PD-së që vazhdojnë të qëndrojnë në mbështetje të Bashës kanë të njëjtin qëndrim si herën e parë të debatit. Ata janë në pritje të përgënjështimit të akuzës ndaj Bashës.
Jorida Tabaku: Unë besoj që riciklimi i akuzave të vjetra nuk i shërben as qytetarëve as publikut.
Ferdinand Xhaferri: Nuk ka dalë asnjë provë tjetër, ky argument ka dalë vite më parë dhe e di që kryetari i atëhershëm Lulzim Basha ka dhënë shpjegime shteruese.
Kreshnik Çollaku: Në mënyrë absolute në rast se këto janë të vërteta të papranueshme, unë nuk besoj që është rasti, por nëse ndodh kushdo të jetë i përfshirë një standart është për mua, nga SHBA për ne dhe i PD-së duhet të jetë i pacënueshëm.
Vetë Basha ka reaguar me pak rreshta në twitter duke i qëndruar deklaratës së katër viteve më parë.
“Partia Demokratike nuk ka marrë kurrë asnjë financim të huaj e aq më pak me burim rus. Kur pretendime të tilla u qarkulluan në disa media, Partia Demokratike i kërkoi zyrtarisht drejtësisë hetimin e këtyre akuzave dhe bashkëpunoi plotësisht me drejtësinë e cila hodhi poshtë çdo pretendim për financime të huaja. Ne jemi krenarë për partneritetin e palëkundur me aleatin tonë strategjik, SHBA dhe të vendosur të ecim përpara në krah të aleatëve tanë euro-atlantikë për konsolidimin e vlerave perëndimore dhe integrimin e plotë të Shqipërisë në BE”, shkroi Basha në Twitter.
Por në krah të Bashës nuk janë të gjithë ata që e patën mbështetur dikur në atë që quhej “pafajësi” e tij dhe shpifje dashakeqe e socialistëve.
Ervin Salianji: Çdo anëtar i PD do të ndihej i neveritur nëse para ruse apo cdo lloj ndikimi mund të ketë pasur cdo lloj përfaqësuesi i PD.
Grida Duma: Duhet sa më tepër ti largohet historisë së errët të lindjes. Nuk i kam vënë asnjëherë në dyshim deklaratat e Departamentit të Shtetit.
Në seancën parlamentare të kësaj të enjte, do të shfaqej taulant Balla me triumfin e një fituesi, me arrgonacë e ironi përballë një opozitë të ndarë në dy pjesë, deputetë që vazhdojnë ta quajnë shpifje akuzën për lobimin rus dhe të tjerë deputetë demokratë që e besojnë tashmë Taulant Ballën i cili akuzon Bashën për përfitime të parave ruse.
Sa kohë që ju të pretendoni që do bëni parti me një non grata udha e mbarë ju qoftë, ne ja u kemi thënë edhe më parë do vijë një ditë që ju do hani njëri-tjetrin, deklaroi Taulant Balla nga Kuvendi
Taulant balla iu kujton demokratëve deklaratat e tyre në dy kohë.
Taulant Balla: Ju keni një problem të madh, kur nuk ju përqente dhe kur ishit ne Lulin thonit nuk është e vërtetë, tani që jeni prishur me Lulin thoni që është e vërtetë, kjo është tuurpi juaj.
Dhe në të vërtetë qëndrimet e tyre janë krejt të ndryshme në dy kohë.
Berisha në 18 qershor 2018: Lulzim Basha dhe PD kurrë në jetën e tij nuk kanë pasur ansjë takim me rusë, nuk kanë marrë një qindarkë nga rusët, nuk kanë firmosur një kontratë me rusët.
Berisha pas lajmit të publikuar nga Zëri i Amerikës për akuza të financimit të Bashës nga para ruse: Përgjegjësia nuk është e PD por është individuale e Bashës, partia dhe strukturat e partisë nuk kanë një përgjegjësi. Basha është mbajtur peng me këtë dosje dhe ai duhet të japë urgjentisht përgjigje për origjinën e parave që kanë kaluar nga Biniata tek Nick Muzin.
Ristani në 14 janar 2020: Prokuroria le ta apelojë dhe për ne s’ka asnjë lloj problemi do rishqyrtohet në një gjykatë të një niveli më të lartë dhe do ketë të njëjtin përfundim. Cështja është pse politika kërcënon në këtë formë sepse ai është kërcënim dhe i thotë s’ke kaluar vettingun. Frika se i heqin nga puna i bën prokurorët të arrijnë në këto nivele dhe ti shërbejnë politikës.
Ristani pas lajmit të publikuar nga Zëri i Amerikës për akuza të financimit të Bashës nga para ruse: Veprimet personale të Bashës janë të dokumentuara nëpërmjet kontratave që prokuroria ka pasur. Është një cështje që duhet hetuar sepse është një cështje që nuk i bën mirë vetëm PD por edhe demokracisë.
Në vitin 2018, ishin dy palë dhe dy qëndrime: akuzuesi që ishte Taulant Balla dhe PS dhe të akuzuarit që ishte Lulzim Basha dhe PD. Sot janë sërish dy qëndrime por më shumë palë të përfshirë. Sociaistët i qëndrojnë akuzës së dy viteve më parë ndaj Bashën për lidhje me rusët, por tani mazhorancës i bashkohet edhe Partia Demokratike e Sali Berishës, edhe Ish-LSI apo partia e Lirisë e Ilir Metës që ndajnë të njëjtin qëndrim me Taulant Ballën dhe PS për lidhjet e Bashës me rusët. Edhe Pandeli Majko ka ndryshuar qëndrim. Nuk flet më me shaka për këtë akuzë.
Drejtuesit e PD, si ata që janë me zyra si ata që janë pa zyra e dinë shumë mirë se është emetuar lajmi i konfirmuar nga administrate amerikane se PD ka marrë rreth 500 mijë dollarë nga fondet ruse, kjo histori nuk ka për tu mbyllur kaq thjeshtë, deklaroi Pandeli Majko nga Kuvendi.
Nuk është vetëm Partia demokratike e dyshuar për financime ruse dhe nuk është vetëm politika shqiptare. Deri tani raporti komunitetit amerikan të zbulimit ka saktësuar prani të lobimit rus në rreth 20 shtetet ku përfshihet edhe Shqipëria. Zëri i amerikës thekson se zyrtari i lartë amerikan ka deklaruar gjithashtu se “Ajo që është më tronditëse për këtë studim është se shohim praninë e financimit të fshehtë rus në mbarë botën… Po i paralajmërojmë këto parti të huaja dhe kandidatë se nëse pranojnë fshehurazi paratë e Rusisë, ne kemi mundësinë t’i ekspozojmë, dhe do t’i ekspozojmë”, shtoi ai. Duket se çështja e zbardhjes së të dhënave të lobimit rus sapo ka nisur. Informacione të reja pritet të shohim së shpejti për dyshimet për influencën ruse edhe në Shqipëri, në politikë, media e gjetkë.
Nëse Lulzim Basha apo cilido drejtues tjetër në PD, morën para ruse për lobim në vitin 2017, drejtësia mund të hetojë sërish. Kjo është një çështje që i përket drejtësisë. Por gjithçka që u artikulua e do të vazhdojë të thuhet nëpër studio televizive a podiume partish, zbuloi se urrejta e një pjesë demokratësh është më e zjarrtë ndaj pjesës tjetër të kësaj partie se sa ndaj kundërshtarit. Madje duket e pakrahasueshme. Ky debat na tregoi se opozita: të gjitha partitë demokratike, ish-LSI sot Partia e Lirisë … drejtues të hershëm e të rinj, në pozicione të vjetra e të reja… janë tamam ashtu siç i duhen Edi Ramës, që ky i fundit ta mbajë pushtetin aq mandate sa të dëshirojë.
Në shtator prisnim stuhinë opozitare Berisha-Meta kundër mazhorancës, pasi ishte lajmëruar se në stinën e vjeshtës do të bëhjej nami, në fakt po shohim se kjo stuhi opozitare është lëshuar mbi Lulzim Bashën. Sepse akuza për lobim me para rusë është një ndër më të rëndat akuza që i bëhen një politikani, aq më tepër një drejtuesi apo ish-drejtuesi të Partisë demokratike, një parti që lindi si shpresa e madhe e shqiptarëve që kërkonin perendimin për të përmbysur modelit lindor dictatorial të komunistëve.
Duket si mallkim që e ndjek pas qysh kur nëpër koridoret e errëta të fillimeve të themelimit, projektohej një parti demokratike ku do të shfaqeshin shpejt tiparet autoritariste të modelit lindor. Është e thënë shpesh që nuancat e sistemit lindor ishin shfaqur që në fillime dhe do ta shoqëronin modelin e politikës shqiptare dhe asaj të PD-së në vazhdimësi… por askush nuk kishte parashikuar që do të vinte një ditë si kjo kur nga SHBA vjen lajmi se PD dyshohet të jetë financuar nga para ruse e kur liderë e ish-liderë demokratë, të akuzojnë njëri-tjetrin për lidhje të errëta me kremlinin apo me oligarkë rusë. /veting/abc/