Dyshimet për financime ruse drejt Partisë Demokratike në vitin 2017 zgjuan debatin publik për mënyrën se si i gjejnë të ardhurat partitë politike shqiptare dhe si i shpenzojnë ato para. Në raportet financiare të dorëzuara në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për zgjedhjet e 6 marsit, del se 3 formacionet kryesore politike që garuan gjeneruan dhe shpenzuan rreth 30 milionë lekë. Por burimet e parave që PD, PS dhe “Shtëpia e Lirisë” shpenzuan për 6 marsin ishin të ndryshme. Partia Socialiste grumbulloi 5.60 milionë lekë, nga të cilat shpenzoi 5.58 milionë lekë. Burimi ishte me 90 mijë lekë nga donacionet e anëtarëve të partisë, 1.34 milionë lekë nga kandidatët që garuan dhe 4.16 milionë lekë erdhën nga fondet e partisë.
Fondet që grumbulloi Shtëpia e Lirisë ishin 13.77 milionë lekë. Në dallim nga fondet e PS, burimi kryesor i të ardhurave të saj ishin kandidatët, të cilët kontribuuan me 9.52 milionë lekë. 102 mijë lekë ishin donacione nga anëtarët e partisë dhe 4.15 milionë lekë erdhën nga fondet e partisë. Ndërkohë, financimi i fushatës së Partisë Demokratike ishin totalisht i ndryshëm. Të 13.48 milionë lekët e shpenzuara në 6 mars erdhën nga fondet e Partisë Demokratike dhe nuk kishte asnjë donacion nga anëtarët apo nga kandidatët. Sa i përket mënyrës së shpenzimeve, të tria subjektet kryesore politike nuk kishin shumë diferenca. Shpenzimet më të mëdha ishin të ndara për mitingje, transport, zyra elektorale, materiale promocionale promovim në rrjetet sociale dhe banera elektoral. Për fushatën e zgjedhjeve të pjesshme lokale të 6 marsit u shpenzuan rreth 31 milionë lekë. Dy partitë opozitare, Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste shpenzuan 5-fishin e Partisë Socialiste që fitoi 5 nga 6 bashkitë.