Nga Lorenc Vangjeli

Opozita po përballet me dy çështje: akuza se PD u financua nga fonde ruse në vitin 2017 për lobim në SHBA dhe tre denoncime në SPAK kunder Ilir Metës. Përse këto çështje shfaqen në këtë kohë?

Në jurisprudencë ka një aksiomë që e quan të munguar, drejtësinë e vonuar. Por në Shqipëri, për shkak të traditës jashtëzakonisht të keqe të sistemit gjyqësor në raport me pushtetet e tjera, duhet shtuar pa mëdyshje se drejtësia e vonuar është më e mirë se drejtësia e munguar. Dhe kjo në kushtet kur nuk duhet paragjykuar aspak rezultati i tyre final. Eshtë një zakon i tmerrshëm ai i kultivuar në vitet e tranzicionit kaotik shqiptar që akuzat i hidhen erës dhe që sërish i merr era. Që ngrihen, formulohen, debatohen gjithkund me përjashtim të aulave të gjykatës duke shkaktuar një dëm të shumëfishtë: qoftë për paragjykimin e çështjes, qoftë dhe për ndotjen e mjedisit politik dhe protagonistëve e subjekteve që bëjnë apo ju bëhen akuza, qoftë me helmimin katastrofik që i bëhet opinionit publik. Të mësuar me të keqen, tashmë edhe normaliteti bën përshtypje, kur duhet të ishte krejtësisht e kundërta. Akuzat duhet të verifikohen në gjykatë dhe gjykata duhet të peshojë se kush ka të drejtë. Por Mister Procedurat, ashtu siç mund të quhen tashmë një rresht politikanësh në Shqipëri, kanë pasur një standart tjetër të zbatimit të ligjit. Në vendin e pikturuar si atdheun e njerëzve “krenarë” që vrasin edhe për një fjalë goje, ata i kanë dhënë të drejtën vetes që të thonë fjalën e fundit për kundërshtarët dhe kur duhet të përgjigjen për vetë to, shplahen duke pretenduar: gjithçka është politikë! Pa shkuar shumë larg, kush kujton sot akuzat e përbindshme që shkëmbente çifti Berisha – Nano, ka kuptuar hipokrizinë e tyre të thellë. Nga vrasës e bixhozçi në kriminel e hajdut, siç e quanin njëri-tjetrin, papritur ata i dhanë një përqafim njëri-tjetrit duke konsideruar se çfarë kishin thënë, e kishin bërë për motive politike. Po kështu edhe dyshja tjetër Rama – Meta, ka shkëmbyer nga trëndafilat tek tanket në adresat reciproke në një cikël të pabesueshëm të përkëmbimit të tyre. Pa përmendur Lulzim Bashën, akrobatin juridik dhe burrin që nuk u rrit kurrë në politikë, që tashmë është zënë në kurth nga vesi i tij për të gënjyer edhe kur nuk ishte fare e nevojshme. E gjitha kjo vlen në parim. Pjesa tjetër, në terren konkret ka të bëjë me gatishmërinë e munguar të secilit prej subjekteve të këtyre akuzave të ricikluara, për të bërë ballafaqim me drejtësinë. Në rastin e Metës, sado që kritikët e tij i përmendin sa herë munden, fjala vjen, videon e famshme të përgjimit, ata do të duhet të heshtnin dhe ta shohin atë video me sytë e pesë gjykatësve të lartë, përfshi këtu edhe armikun e tij të rigjetur Adrian Dvorani, që i dhanë pafajësi. Si politikanë ata kanë detyrimin që nuk shtrihet mbi qytetarin e thjeshtë: duhet të kenë në dispozicion për 24 orë në 24 orë dhe në çdo ditë të javës, nga e hëna në të dielë, një avokat të gatshëm për t’u mbrojtur dhe jo një seli partie apo imunitet politik si varkë për t’u larguar. Duhet të jenë të parët që të kërkojnë ballafaqim me gjykatën dhe për të luftuar për të vërtetat vetjake. Fakti që nuk e bëjnë, nuk i bën më të fortë, përkundrazi, i bën më të pabesueshëm dhe më të dobët qoftë edhe përballë vetvetes.

Ndryshe nga herët e kaluara në epiqendër të këtij skandali është Lulzim Basha i cili ishte kryetar në kohën kur është bërë lobimi i dyshimtë dhe duket se ai që po përfton momentalisht politikisht është Sali Berisha që gati po i vendos akuzën zyrtare Bashës, në një lloj paradoksi se vetë Berisha i beson SHBA-ve në këtë rast. A po shfrytëzohet kjo situatë nga Berisha për të mënjanuar përfundimisht Bashën dhe mbështetësit e tij në grupin Parlamentar?

Paradoksi gjendet tjetër kund. Dhe është kaq qesharak sa pavarësisht dukjes, kjo e vë në jo në pozitë triumfuesi, por në kushte humbësi vetë Berishën. Doktori dhe njerëzit që e ndjekin pas u mjaftuan me një raportim të një medieje serioze si Zëri i Amerikës që citonte një burim anonim nga SHBA për mundësinë e përdorimit të parave ruse në lobimin e Bashës dhe ju sulën ish-kryetarit të tyre si otomanët dikur armikut. Janë po këta që kanë shpikur me dhjetra marifete, gjithashtu qesharake, për të vënë në dyshim vendimin e Departamentit Amerikan të Shtetit, të firmosur nga sekretari amerikan Blinken në rastin e shpalljes së Doktorit Non Grata. Ky standart i dyfishtë gjykimi është thjesht i padurueshëm dhe fyes për logjikën më minimale njerëzore. Doktori nga halli, që pavarësisht se e kupton që është marrëzi kjo që bën dhe trushplarët e shumtë që e ndjekin nga halli e malli pas, duhet të ndajnë mendjen për të mos u bërë lavjerës: besojnë tek amerika anonime dhe refuzojnë SHBA-në zyrtare.

Sa për epërsinë që merr grupi i Berishës në këtë rast, avantazhi i krijuar është njëlloj si të hedhësh ujë të ftohtë mbi lëkurën e të mbyturit. Basha është tashmë i tillë dhe as Perëndia nuk e merr dot më në dorë. I vetmi shans i tij mund të verifikohet pas humbjes së shumëfishtë s ëish-partisë së tij, në fillim në zgjedhjet e ardhshme lokale e më pas edhe në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2025, kur përgjatë mandatit të katërt të Ramës, Basha të mund të synojë vijimin e karrierës së tij në PD. Dhe këtu pastaj duhet të sqarohen termat. Ata që sillen në këtë pjesë të opozitës siçlirues, janë në të vërtetë pushtuesit dhe përdhunuesit e saj.

Interesante duket edhe situata në Partinë e Lirisë ku Ilir Meta ka të hapura tre dosje në SPAK, nga denoncime që vërshuan në harkun e një muaji. Po ashtu edhe për Berishën indirekt mund të kaloje në SPAK me dy dosje. A mund të thuhet se si Berisha ashtu edhe Meta tashmë po “luftohen me drejtësinë”?

Duhet të ndahen përfundimisht dy momente. Në të majtë dhe në të djathtë të politikës ende e mendojnë drejtësinë si shkopin që do të përzjejë ujrat dhe raportet e forcave në politikë. E madje edhe të konsolidojë apo të ndryshojë ngjyrat në qeverisje. Politika ka ligjësi të tjera. Sepse mund të ndodhë, fjala vjen, që drejtësia të shpallë fajtorë njerëz shumë pranë Doktorit, mund ta konsiderojë Metën fajtor për ndonjë nga akuzat që tashmë janë ngritur dhe megjithatë, opozita të jetë triumfuese në zgjedhje. Mund të ndodhë dhe e kundërta, që Rama të shohë t’i bien bashkëpunëtorët e tij, njëri pas tjetrit në hall dhe ai të rikonfirmohet – siç edhe do të ndodhë me shumë gjasa – në mandatin e tij të katërt qeverisës. Mëkatarët kanë për gjykatës drejtësinë, qeverisja ka për arbitër qytetarin. Vetëm naivët e të paaftët, këto dy raca të padurueshme që kanë populluar politikën në këto vite groteske tranzicioni, vetëm ata që i kanë rënë në qafë politikës si zanat, mendojnë se njëri pushtet do të zgjidhë hallet me pushtetet e tjera. Dhe këta janë kaq të shumtë, bërtasin kaq shumë, sa kjo shpresë e gënjeshtërt e ka shndërruar këtë shumicë naive njerëzish, në një tufë barkmbushurish me bar perëndie, që nuk shohin më larg se ngastra ku kullosin.

Në këtë situatë Rama ngjan si më komod, duke shpërqëndruar jo pak vëmendje si me largimin e kreut të policisë Nano, që indirekt ia veshi “problemet me kriminalitetin” ashtu edhe me nismën disi populiste të sekuestrimit të shtesave pa leje të pallateve dhe kullave, kryesisht në Tiranë.

Edhe në këtë rast perceptimi thjesht gënjen. Eshtë shumë skematike të mendohet një gjë e tillë, pa kuptuar më parë kufinjtë e zyrës së kryeministrit në një vend si Shqipëria që për traditë, shpreson se njëshi i vetëm do të kushtëzojë deri edhe ndryshimin e stinëve në atdhe. Bilanci i Ramës mund të rritet pozitivisht apo të ndikohet negativisht nga rezultati që prodhon drejtësia, por ky është vetëm një element nga shumë të tjerë që kandari i votuesve shqiptarë do të vendosë se cilës anë do t’i takojë qeverisja dhe kujt do t’i rezervohet ajo kokrra e rrumbullaktë metalike që mat peshën. Dhe në këto kohë të turbullta, kokrrat mund të gjejnë dhe vende të papërshtatshme për t’u fshehur, pavarësisht se duket e pamundur të gjejnë adresë të ndryshme nga ajo që zgjedhën që nga viti 2013./Fjala.al