Ambasadorja e SHBA, Yuri Kim ka pritur në Tiranë ekipin e DEA-s që vjen në vendin tonë si mbështetje e SPAK. Shqipëria ka kaluar testet dhe është drejt hapjes së filialit të DEA-s amerikane për të vijuar operacionet për goditjen e grupeve kriminale dhe luftën ndaj trafikimit të kokainës.

Ambasada amerikane shkruan se agjenti special Brendan Leddy, me të cilin zhvilloi takim ambasadorja Kim do të bashkëpunojë ngushtë me prokurorinë e posaçme dhe homologët shqiptarë për luftën ndaj drogës dhe krimit të organizuar.

“Ambasada e SHBA ka kënaqësinë të mirëpresë në Shqipëri agjentin special të Administratës së Zbatimit të Drogës (DEA), Brendan Leddy. Yuri Kim u takua me agjentin special Leddy për ta mirëpritur atë në ekip dhe për të diskutuar të ardhmen e pranisë së DEA në Shqipëri.

Agjenti Special Leddy së bashku me personelin shtesë të DEA-s do të bashkëpunojnë ngushtë me SPAK dhe homologët shqiptarë të zbatimit të ligjit për të forcuar partneritetin në operacionet ndërkombëtare kundër narkotikëve dhe krimit të organizuar.

Agjenti Special Leddy do të mbështesë më tej ndërtimin e kapaciteteve në teknikat e hetimit kundër narkotikëve”, shkroi ambasada amerikane në Twitter.

Zyra e DEA-s në Shqipëri do të jetë lidhje e zyrës qëndrore në Athinë. Pjestare të Dea-s do të jenë bashkë me policinë shqiptare në kontrolle kufitare si porte aeroporte e pika tokësore. Filiali i DEA-s ka fokus luftën ndaj trafikut të drograve kryesisht kokainën e cila vjen nga Amerika Latine.