Bjellorusia ka nisur stërvitjet ushtarake pranë kufirit polak, në Minsk dhe rajonit verilindor të Vitebsk.

Lajmi u bë me dije nga Ministria e Mbrojtjes e vendit, shkruan The Guardian.

Sipas autoriteteve stërvitjet, të cilat janë caktuar të zgjasin një javë, synojnë “çlirimin e territorit të konfiskuar përkohësisht nga armiku” dhe rimarrjen e kontrollit mbi rajonet kufitare.

Sipas ministrisë, niveli i trupave dhe pajisjeve ushtarake të përfshira në stërvitje nuk kërkonte që ata të jepnin njoftim sipas udhëzimeve të OSBE-së.

Ukraina ka vendosur trupa dhe ka ndërtuar mbrojtje përgjatë kufirit të saj me Bjellorusinë mes sinjaleve të përsëritura se fqinji i saj verior mund të bashkojë forcat me Rusinë.

Udhëheqësi autokratik i Bjellorusisë, Alexander Lukashenko, është aleati më besnik i Kremlinit dhe i lejoi trupat ruse të përdorin territorin e tij për të hyrë në Ukrainë në shkurt.