Gjirokastra është një nga qytetet që ka përfituar më shumë nga Bonusi i Rijetësimit.

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti u shpreh mëngjesin e sotëm se janë 10 objekte që marrin mbështetje financiare për mirëmbajtje, restaurim apo rijetësim.

Bonusi i Rijetësimit u shërben të gjithë atyre që duan të zhvillojnë pronën e tyre në qendrat historike të qyteteve.

Ai përfshin dy instrumente mbështetjeje: një për restaurimin dhe konsolidimin e guaskës së shtëpisë, mureve, dritareve, dyerve, fasadës apo çatisë, ku jepet 10 mijë dollarë mbështetje, dhe instrumenti i dytë, për të gjithë ata që do të duhet të futen në një plan transformimi dhe vënie në funksion ekonomik të shtëpisë, deri në 50 mijë dollarë.

Me anë të këtij programi vjen për herë të parë një mbështetje për të gjithë banorët në qytetet dhe ansamblet historike, të cilët kanë nevojë të restaurojnë shtëpinë e tyre dhe shteti do t’u gjendet pranë me një skemë granti.