Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në një intervistë për Zërin e Amerikës, ka folur rreth dialogut Kosovë-Serbi. Ajo u shpreh se teksa Serbia po afrohet dhe më shumë me Rusinë, aq më tepër investohet në destabilitetin e rajonit.
“Natyrshëm, pritshmëritë e Kosovës janë që ky proces të jetë i përqendruar në njohjen reciproke, sepse kjo është e vetmja zgjidhje e cila çon drejt paqes dhe stabilitetit afatgjatë. Gjysmë zgjidhjet në fakt asnjëherë nuk prodhojnë paqe dhe stabilitet afatgjatë, por në anën tjetër i japin hapësirë të mjaftueshme Serbisë që të vazhdojë të afrohet më shumë me Rusinë dhe po ashtu të investojë edhe më shumë në destabilizimin e rajonit tonë. Për fat të keq edhe kjo që po ndodh tashmë në Ukrainë, që nga 24 shkurti i vitit 2022, po dëshmon se shtetet autokratike, siç është Serbia, siç është Rusia e cila e kontrollon edhe Serbinë asnjëherë nuk shquhen për veprime pozitive në raport me fqinjët e tyre, përkundrazi, Serbia vetëm sa është forcuar në veprimet e saj destabilizuese dhe tani ju e keni parë, vetëm sa e ka rritur bashkëpunimin qoftë politik, qoftë ekonomik apo ushtarak me Rusinë, duke ndikuar kështu edhe në rritjen e ndikimit rus në tërë rajonin tonë dhe rrezikimin e rajonit tonë. Prandaj besoj që kjo çfarë po ndodh në Ukrainë, të jetë një mësim për të gjitha shtetet perëndimore, se me shtetet e tilla që udhëhiqen nga mendësinë e Putinit, siç është edhe vetë Serbia që udhëhiqet nga një ish ministër i Millosheviçit, duhet gjuhë e qartë, veprime të qarta.”, u shpreh Osmani.
Lidhur me marrëveshjen e nënshkruar së fundmi mes Rusisë dhe Serbisë për bashkëpunimin mes dy vendeve në fushën e politikës së jashtme, Osmani u shpreh se Beogradi me këtë dha një mesazh, se nuk është i interesuar për paqen e stabilitetin në rajon.
“Edhe vetë marrëveshja e fundit që Serbia nënshkroi me Rusinë për të përcaktuar vijat e politikës së saj të jashtme, në fakt në bashkëpunim me Rusinë dhe jo me BE-në, është një mesazh i qartë që Serbia nuk është e interesuar që të kontribuojë për paqe dhe stabilitet në rajon, apo të anëtarësohet në BE. Përkundër veprimeve të tyre, ne si Republikë e Kosovës po tregojmë vazhdimisht konstruktivitet, angazhim pozitiv dhe po fokusohemi që i gjithë dialogu me Serbinë, i ndëmjetësuar nga BE dhe i përkrahur fuqishëm nga SHBA, të jetë një proces që i kontribuon paqes afatgjate në rajonin tonë dhe që natyrisht është i përqendruar në njohje reciproke”, tha Presidentja Osmani.