Muzeu i Ikonografisë Onufri dhe Muzeu Etnografik në Berat shënuan një numër të lartë vizitorësh vendas dhe të huaj.
Qendra Kombëtare e Muzeumeve në Berat bëri të ditur se “edhe muaji gusht në këtë vit i kaloi pritshmëritë tona me numrin e lartë të vizitorëve, të cilët përzgjodhën të kalojnë një pjesë të pushimeve të tyre në Berat, mes monumenteve të arkitekturës dhe muzeve”.
Muzeu i Ikonografisë Onufri dhe Muzeu Etnografik gjatë gushtit patën 7969 vizitorë, kryesisht familjarë e individë vendas dhe të huaj, pothuajse sa në të njëjtin muaj të vitit 2019.
Ndërsa në periudhën janar –gusht 2022 u vizituan nga 28 652 vizitorë.
Sipas shifrave të publikuara nga Qendra Kombëtare e Muzeumeve Berat tij, gjatë muajit janar 2021 këta dy muze u vizituan nga 11 883 vizitorë, ndërsa në gusht 2022 nga 7 969 dhe në gusht 2021 nga 4 306.
Muzeu Etnografik është krijuar në vitin 1979 në një banesë me arkitekturë karakteristike beratase. Periudha e ndërtimit i përket shekullit XVIII. Ky muze ka një fond të pasur etnografik me rreth 1200 objekte.
Muzeu Ikonografik “Onufri”, që mban emrin e njërit prej kryemjeshtrave të pikturës shqiptare të shekullit XVI, është ndërtuar mbi rrënojat e një kishe të rindërtuar në vitin 1797 në lagjen “Kala”, e cila ka qenë katedralja e qytetit, që është monumenti më përfaqësues i arkitekturës pasbizantine në qytetin e Beratit. Koleksioni i muzeut përbëhet nga 173 objekte të përzgjedhura nga një fond prej më se 1 500 objektesh që i takojnë fondeve të kishave dhe manastireve të Shqipërisë.