Ka përfunduar mbledhja e kryesisë së PD, ndërsa pak më vonë pritet dhe mbledhja e Këshillit Kombëtar. Dy çështjet që janë diskutuar, lidhen me financimin rus dhe ngritjen e një grupi për auditimin e financave të PD, ndërsa çështja tjetër lidhet me primaret.
Mësohet se pas shumë diskutimesh, Kryesia vendosi që të ngrejë një grup pune (audit) për çështjen e financimeve ruse në PD. Lajmi u konfirmua për BalkanWeb nga gazetari Osman Stafa dhe mësohet se kryetare e këtij grupi pune është zgjedhur, Lediana Mandia.
Në një artikull të publikuar nga VOA, ku i referohen burimeve nga DASH, thuhet se PD ka marrë gjatë drejtimit nga Lulzim Basha 500 mijë dollarë për lobingje nga Rusia. Kjo çështje solli reagime të ashpra dhe akuza të ndërsjellta mes kampeve politike, ku nga një anë një pjesë e PD akuzuan Bashën se ka gisht, ndërkohë që vetë Berisha pohoi se çështja në fjalë ishte mbyllur me urdhër të Ramës.