Zv/kryeministrja, njëherazi ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku deklaroi sot se qeveria do të subvencionojë qytetarët për vendosjen e paneleve diellore për ngrohjen e ujit.
Gjatë një konference për shtyp, Balluku tha se procesi nis nga 1 tetori.
“Gara për ofruesit e impianteve diellore do të hapet më 1 tetor, ndërsa qytetarët do të mund të aplikojnë duke nisur nga data 1 nëntor sipas parimit “i pari që aplikon, shërbehet i pari”. Do të ketë një aplikacion elektronik transparent dhe qytetari do të shikojë se i sati është në aplikim. Fillimisht gara do të hapet për 2 mijë aplikime, por menjëherë sa të përmbushen 2 mijë aplikimet e para, do të hapen thirrjet e tjera”, deklaroi Balluku.
Balluku siguroi se procesi do të jetë transparent dhe se qeveria do t’u ofrojë qytetarëve 70% të pagesës.
Sipas Ballukut, Taskforca e energjisë do të monitorojë procesin e vendosjes së impianteve nga qytetarët përfitues.